Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në AUV, Flamur Kadriu, ka thënë se programi HACCP është program që duhet të implementohet nga operatorët e të gjithë sektorëve ushqimorë, por se ka ngecur për disa arsye.
Sipas tij, një nga arsyet e mosimplementimit të këtij programi janë edhe kushtet ekonomike.
Ai në Express Intervista në KTV ka thënë se gjetjet e auditorit për mosimplementimin e këtij plani nuk janë të papritura.
“Kjo nuk është e gjetur e papritur. Ne i kemi ngritur këto shqetësime. Falë asaj që ne e kemi ngrit si çështje, ministria e Bujqësisë dhe Komisioni Evropian ka filluar që përmes granteve të iu ndihmojë operatorëve edhe në rregullimin e hapësirave dhe në implementimin e programit”, ka thënë ai.
Sipas tij, programi HACCP duhet të implementohet nga të gjithë sektorët.
Kadriu thotë se AUV merr masa varësisht nga problemet që shkaktohen.
“Ne i kemi prezantuar edhe të gjeturat për masat që i ndërmarrim ndaj shkeljeve dhe në këtë pikë nuk ka pasur vërejtje”, ka thënë ai.
Ai thotë se momentalisht në databazën e Agjencisë janë mbi 5 mijë biznese të regjistruara.
Ndërkaq duke folur për asgjësimin e ushqimit nga një operator ku auditori ka dhënë vërejtje, Kadriu thotë se nëse një mall është gjetur në treg pa afat, operatorët janë përgjegjës për tërheqjen e mallit.
Ai thotë se inspektorët janë vazhdimisht në treg për të kuptuar tërheqjen e këtyre mallra.
“Ndodh që gjithmonë mundet me pas mallra me afat të skaduar në treg, asnjë inspeksion nuk mund të jap garanci”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Agjencia ka vështirësi të mëdha me numrin e inspektorëve.
Sipas tij, me ligj të ushqimit thuhet se inspeksionet komunale duhet të kalojnë në kontrollin e AUV-it duke shtuar se kjo nuk është arritur asnjëherë.
Kadriu thotë se secila komuna mendon që kjo është antikushtetuese dhe nuk lë që të ndodhë.
“Krejt bashkëpunimi që ne kemi me inspeksionet komunale është në baza kolegiale shumë më shumë se sa e definon raporti, por ky bashkëpunim nuk është zyrtarë”, ka thënë ai, duke shtuar se në vazhdimësi janë munduar që të gjejnë mirëkuptim por se ka ngecur puna.
Duke folur për ankesat e konsumatorëve, ai thotë se janë nga më të ndryshmet.
Ai thotë se të gjitha lëndët i drejtojnë në gjykata, duke shtuar se kohëve të fundit zgjidhja e tyre është më e shpejtë.
“Ka raste kur ne i mbyllim operatorët. Për masën e dënimit, kjo është nën kompetencat e gjykatës, në nuk e kemi fuqinë që të kërkojmë një dënim për një operatorë”, ka thënë ai.
Kadriu thotë se produktet me prejardhje shtazore gjithmonë kanë një rrezik më të lartë. Por sipas tij, për një inspektor të gjitha duhet të trajtohen njëjtë.
Duke folur për cilësinë e produktit, ai thotë se nuk kanë mandat ta diskutojnë cilësinë e produkteve.