Partia Demokratike e Kosovës thotë se ka grumbulluar në radhët e veta në Podujevë edhe 100 anëtarë të rinj.
Sipas një njoftimi për media të PDK-së, thuhet se në praninë e kryetarit të Kadri Veseli, sot në degën e Podujevës janë anëtarësuar më shumë së 100 anëtarë të rinj.
“Të sapoanëtarësuarit kanë qenë bashkëpunëtorë të anëtarit të ri të Kryesisë së PDK-së, Kadri Kastrati”, thuhet në njoftim.
Kryetari Veseli, me këtë rast iu uroi mirëseardhje anëtarëve të rinj duke thënë se PDK si familje politike ka nevojë edhe për më shumë njerëz që t’i bashkohen vizionit të saj.
“Liria që ne kemi nuk do të jetë e mjaftueshme përderisa kësaj lirie nuk do t’ia japim kuptimin. Ai kuptim është fuqizimi i shtetit tonë, fuqizimi i ekonomisë. Kemi nevojë edhe për më shumë përkrahje dhe njerëz që t’i bashkohen vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës. Bashkërisht mund ta arrijmë këtë. Duhet të punojmë fuqishëm në fuqizimin e jetës sociale dhe ekonomike të qytetarëve tanë. Ky është obligim i familjes sonë partiake”, tha mes tjerash Veseli, duke shtuar se duhet të krijohen shanse të njëjta për të gjithë qytetarët.
Ndërkaq, në fjalën e tij anëtari i Kryesisë, Kadri Kastrati, ish komandant i FSK-së, përveç se i falënderoi të gjithë për përkrahjen, tha se do të punojë fuqishëm, duke marrë përgjegjësi e jo privilegje për të qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
“Pas përfundimit të misionit tim ushtarak, kam qenë në të gjitha proceset që nga lufta e deri në përgatitjen e FSK-së për transformim në Forcat e Armatosura të Kosovës, u ktheva tek shokët e mijë, aty ku e kam vendin”, tha me këtë rast Kastrati.
