Në oborrin e shkollës fillore “4 Prilli” në Zllatar, të martën, ka rënë një kabllo e rrymës elektrike. Kërkesa e shkollës për ta zëvendësuar shtyllën e vjetruar nuk është marrë parasysh nga KEDS-i.
Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, njëherësh këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se rënia e kabllos së energjisë elektrike në oborrin e shkollës ka rrezikuar 200 nxënës. Ai ka akuzuar KEDS-in për shpërfillje të kërkesave të banorëve, shkruan sot Koha Ditore.
“Një muaj më parë kemi kërkuar nga KEDS-i që t’i ndërrojë shtyllat e stërvjetruara elektrike brenda fshatit dhe sidomos ato në afërsi të shkollës, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërkohë dhjetë ditë më vonë i kemi publikuar faktet edhe nëpër media, prapë nuk kanë intervenuar. Ndërkaq, të martën, është këputur komplet kabllo e tensionit të rrymës në oborr të shkollës dhe ka rrezikuar 200 nxënës. E kemi thirrur prapë KEDS-in dhe kanë ardhur me vonesa, por ende nuk e kanë riparuar siç duhet, sepse aty duhet të ndërrohet komplet shtylla dhe sistemi elektrik”, ka thënë Sallahu.
Ibrahim Sallahu, drejtor i shkollës Fillore “4 Prilli” në fshatin Zllatar të Komunës së Ferizajt, ka deklaruar se disa herë i ka drejtuar kërkesë zyrtare KEDS-it për ta ndërruar shtyllën elektrike nga druri, e cila është e vendosur në oborr të shkollës, mirëpo deri tashti përveç premtimeve verbale nuk kanë intervenuar asnjëherë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)