Besa Kabashi-Ramaj, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë vizioni për sigurinë dhe mbrojtjen. Në “Interaktiv” të KTV-së, ajo ka thënë se qeverisjes aktuale i duhet të ketë më shumë qasje proaktive e plan për t’iu qasur komunitetit serb në veri të Kosovës.
Pas sulmeve të fundit ndaj Policisë në veri të vendit, Kabashi-Ramaj ka thënë se Qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje sektorit të sigurisë, “pas ndryshimit të kontekstit të sigurisë, pasi në këtë ka ndikuar edhe lufta në Ukrainë.
Ajo është ankuar në Qeverinë për mungesë programi transparent për vizionin dhe prioritetet e saj për sigurinë, ndërsa ka kritikuar Qeverinë edhe për veprime “që s’përkojnë me qeverisje që i qëndron afër partnerëve, sidomos SHBA-së”.
Duke komentuar qëndrimet e pushtetit se në veri strukturat paralele janë më aktive se kurrë, Kabashi-Ramaj ka thënë se më shumë bëhet fjalë për entitete që kanë të bëjnë më shumë me krimin.
“Dialogu ka shumë rëndësi. Duhet ta shtyjë fuqishëm në partneritet me SHBA-në dhe të jetë më e fuqishme në tentativat për t’iu qasur më shumë komunitetit serb që të ndihet më afër institucioneve e të kuptojë se e ardhmja e tyre është këtu. Duhet qasje më proaktive, plan, vizion se si t’i qaset. Qeverisë aktuale i takon të prezantojë se si do t’i qaset sfidës që e ka me komunitetin serb”, ka thënë ajo duke shtuar se PDK-ja do të krijojë platformë për sigurinë kombëtare me vizion 10-vjeçar.
Edhe
Kabashi e PDK-së: Parashohim ndërtimin e pesë regjimenteve
Strategjinë e Sigurisë, të propozuar nga Qeveria, Kabashi-Ramaj ka thënë se pas analizimit ka pasur gjetje shqetësuese.
“I mungon vizioni i qartë, se ku do të jetë Republika e Kosovës në 10 vitet e ardhshme e si do të arrijmë atje. S’duhet të ketë hapa taktikë, por strategjikë që tregojnë se ku do të jetë Kosova pas 10 vitesh e këta janë hapat strategjikë që të arrijmë. I dyti problem është mungesa e gjithëpërfshirjes dhe memories institucionale”, ka thënë ajo duke shtuar se për strategjinë s’ka pasur diskutim të duhur publik, e se në të ka të përdorur gjuhë që “s’përkon”.