Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ka ndërruar jetë në New York, Musli Mulosmanaj

Mbrëmë vonë në New York ndërroi jetë Musli Mulosmanaj, nacionalist i shquar, legalist dhe antikomunist i përbetuar i komunitetit shqiptar në SHBA dhe trashëgimtari më vjetër i familjes së Binak Alisë. Vdekja e mori pas një sëmundje të rëndë, duke e lënë familjen e tij të pikëlluar, miq e dashamirë të shumtë në SHBA, në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, e sidomos në Malësinë e Gjakovës, nga edhe është origjina e tij. I ndjeri Musli Mulosmanaj është bartës i titullit" Kalorës i urdhërit të Skënderbeut", të ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Musli Mulosmanaj, rikujton veprimtari nga Kosova në New York, Harry Bajraktari, vjen nga dera e madhe e familjes së Binak Alisë, një burrë i përkushtuar pas Shqipërisë etnike dhe Monarkisë Mbretërore, i cili, me dashuri të jashtëzakonshme, kultivoi traditat, ndjenjën dhe virtytin e të parëve të tij, Binak Alisë, Shaban Binakut, Ali Binakut dhe të plejadës tjetër të Mulosmanajve që luftuan me vite kundër Perandorisë Osmane, kundër serbëve e malazezëve, kundër fashizmit, nacizmit dhe kundër komunizmit të Enver Hoxhës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I ndjeri, Musli Mulosmanaj, ishte një burrë fisnik e bujar, inteligjent, me një qytetërim tradicional shqiptar, gjithmonë të vërtetën dhe të drejtën e ka vlerësuar si virtyt dhe moral në hap me kohën.

Qysh në moshë të re i ra të përballej me tiraninë komuniste të Enver Hoxhës, ku arriti të shpëtonte kokën me një pjesë të familjes së tij, pasi u arratis në Kosovë, në janarin e vitit 1949. Pastaj si emigrant në Kosovë për 17 vjet dhe një vit me punë të detyruar në Serbi dhe Vojvodinë, me UDB-en e Jugosllavisë dhe, më në fund, fati për të mos qenë aq mizor ndaj tij, e solli në Amerikë në vitin 1967.

Musli Mulosmanaj u lind më 10 Gusht 1930 në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Është djali i madh i Çelë Shabanit, sëtrnip i Binak Alisë dhe nip i Shaban Binakut. Kjo familje ka dhënë shumë heronj e dëshmorë të kombit, dhe në kohën kur Shqipëria ra në duar të komunizmit - regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi, burgosi dhe internoi familjen e tij.

Musli Mulosmanaj ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që komuniteti i shqiptarëve nacionalistë në SHBA i ka organizuar kundër regjimit serb e jugosllav për çështjen e Kosovës dhe kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Musli Mulosmanaj mbetet njëri ndër nacionalistet e shquar nga Komunitetit i shqiptarëve të Amerikës, për kontributin e tij që ka dhënë në çështjen kombëtare që nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Këtë aktivitet e vazhdoi deri në frymën e fundit kur i mbylli sytë përgjithmonë.