Arbëri

Joseph kritikon Hillin: Shtëpia e Bardhë e alarmuar, ju s’po i shpërndani mesazhet e krizës

Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka akuzuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, se nuk po i shpërndan mesazhet e krizës të cilat kanë alarmuar edhe Shtëpinë e Bardhë për trupat ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Duke komentuar komunikatën e Shtëpisë së Bardhë për vendosjen e trupave serbe në kufi me Kosovën dhe deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për nevojën për shtensionsim, Joseph ka thënë se kanë kaluar mbi 10 orë dhe Ambasada amerikane në Serbi nuk ka shpërndarë asnjë mesazh të kësaj krize.

“Shtëpia e Bardhë e alarmuar po i bën thirrje Serbisë që të tërheqë vendosjen e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Blinken theksoi [në bisedë me Vuçiqin] nevojën për të shtensionuar situatën me Kosovën. Mbi 10 orë dhe faqja e Hillit dhe faqja e Ambasadës amerikane në Beograd nuk kanë ri-shpërndarë mesazhet e krizës”, ka shkruar Joseph në X, e njohur dikur si Twitter.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit ka thënë se çfarë mesazhi po merr presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me heshtjen e Hillit.

“Duke folur në SAIS, Madeline Albright tha një herë se ‘ajo që ka më shumë rëndësi në diplomaci është ajo që thuhet publikisht’. Hill postoi për herë të fundit në Twitter më 8 shtator dhe Ambasada amerikane në Serbi më 26 shtator. Nëse do të ishit presidenti Vuçiq, çfarë mesazhi do të merrnit?”, ka shkruar Joseph.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.

NATO-ja ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë.

Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.