Pothuajse çdo mëngjes vjen në dyqanin e vet, pret simitet e nxehta derisa dalin nga furra, kapur me dyqanin e tij, i fut në qese dhe kthehet në shtëpi.
Ka vite që e përsërit ritualin e njëjtë 82-vjeçari Xhafer Lleshi, njëri prej jorganpunuesve të parë dhe të fundit në Pejë.
Atij i ka mbetur adet që çdo mëngjes të duket në dyqan, prej që e ka hapur atë babai i tij, para gati 70 vjetësh. Megjithëse nga shëndeti është ende i fortë, vetë më nuk ulet në makinën e qepjes që nga vitet ’90, kur e ka nxjerrë veten në pension. Por rrallë ndodh që t’i kalojë një ditë e të mos ia lëshojë një sy dyqanit ku e ka kaluar pothuajse tërë jetën.
I ulur në një stol të vjetër, që gjithmonë u sillet kah këmbët në dyqan, ai kthen kujtesën në fëmijërinë e tij, në vendlindjen e tij në Gjakovë. Në atë periudhë të viteve të para të pasluftës së Dytë Botërore, baba i tij, siç e kujton Xhaferi, është marrë me tregti, ndonëse e ka njohur edhe zanatin e jorganpunuesit. Por me tregti nuk i ka shkuar shumë larg babës së Xhaferit. Thotë se sistemi i atëhershëm i shtetit jugosllav ia kishte zbrazur dyqanin dhe xhepat... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)