Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të kësaj jave, do të mbajë mot kryesisht me diell, ku temperaturat në disa qytete do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.
Sipas institutit, të hënën do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 31gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.
Të martën parashihet mot kryesisht me diell. Në fushat termike do të ketë rritje të lehta në vlerat e maksimaleve për 1-2 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.
Ndërkaq të mërkurën do të mbajë mot kryesisht me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta në të dy vlerat ekstreme. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimet e ndryshme.
Të enjten do të mbajë mot më i nxehtë. Temperaturat do të shënojnë rritje për 2-3 gradë në të dy vlerat ekstreme. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit.
E premtja do të karakterizohet me temperatura të ngjashme të ditës së enjte. Gjatë pjesës së dytë të ditës do të ketë zhvillim të vranësirave të cilat vende-vende mund të sjellin shira afatshkurta të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Gjatë këtyre ndryshimeve do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë kryesisht nga veriu dhe verilindja. Ky mot me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.
“Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë sesa vlerat e lartshënuara. Meqë indeksi UV do të jetë shumë i lartë, rekomandohet që të kufizohemi sa më shumë nga rrezet e diellit, nga ora 10-17, sidomos personat me sëmundje kronike, hipertension, diabetikët, asmatikët etj, të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, kremra adekuate për mbrojtjen e lëkurës, pastaj të pimë ujë sa më shpesh, jo lëngje të gazuara etj.”, thuhet në njoftim.