Arbëri

Janë shpeshtuar përleshjet e nxënësve, një në Vushtrri ku u përdorën thikat la të lënduar dy persona

Në pushimin e gjatë të ndërrimit të paradites, 8 nxënës të gjimnazit “Eqrem Çabej”, në Vushtrri, të klasës së 12, jashtë objektit shkollor, janë përleshur ndërmjet vete.

Madje, policia ka gjetur edhe një armë të ftohtë që është përdorur gjatë përleshjes, e nga e cila janë lënduar 2 nxënës, të hënën, raporton KTV.

Nxënësit nuk kanë pranuar të flasin për rastin, por prapa kamerës kanë thënë se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

Megjithëse, nuk janë bërë të ditura arsyet e përleshjes, drejtorin e shkollës e brengos fakti që këta nxënës kanë pasur me vete armë të ftohta, e që ka mundësi ta kenë mbajtur atë edhe brenda shkollës.

Bivolaku tregon se gjatë një kontrolli të paparalajmëruar policor, në shkurt të këtij viti, në këtë gjimnaz janë gjetur edhe armë të tjera të ftohta.

Drejtori i Arsimit në Vushtrri, ka paralajmëruar se ndaj nxënësve që përfshihen në përleshje e mbajnë armë në shkolla, do të merren masa.

Sipas Policisë së Kosovës, në gjithë Kosovën vitin e kaluar janë shënuar gjithsej 22 raste të lëndimit të rëndë trupor në shkolla, ndërsa 112 raste të lëndimit të lehtë trupor.

Në 9 raste janë përdorur armë të zjarrit, në 24 raste armë të ftohta, në 32 raste nxënësve u janë gjetur gjësende tjera të rrezikshme.

Por, raste të përleshjeve dhe posedimit të armëve nga nxënësit, nuk janë raportuar shpesh nga drejtoritë komunale të Arsimit në Ministrinë e Arsimit.

Zyrtarë të MASHT-it i kanë thënë KTV-së se në fund përgjegjësinë për masa ndaj nxënësve problematikë e kanë drejtoritë komunale të arsimit.

Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2018 në nivel vendi:

Lëndim i rëndë trupor në shkolla - 22 raste

Lëndim i lehtë trupor - 112 raste

Përdorim i armëve të zjarrit - 9 raste

Përdorim i armëve të ftohta - në 24 raste

Në 32 raste nxënësve u janë gjetur gjësende të tjera të rrezikshme.