Arbëri

Iu dha lamtumira e fundit vajzës së ish-pjesëtarit të UÇK-së, ajo u godit për vdekje nga makina

Pikërisht në këtë pjesë të rrugës, rreth orës 19 të së enjtes, humbi jetën Bleranda Curri nga fshati Korroticë e Drenasit.

Më t’u kthyer nga Drenasi, ku kishte shkuar për të kryer disa procedura rreth patentë shoferit, ajo u godit nga një veturë, derisa ishte duke kaluar rrugën.

Personi i cili e ka goditur, 24-vjeçari, Admir Salihu, nga Skenderaj, është dërguar në mbajtje.

Trupi i pajetë i 19-vjeçares, i është dorëzuar familjes rreth mesditës.

Xhaxhai i viktimës, Bujar Curri, ka treguar se e ndjera ishte studente e Juridikut dhe se në momentin tragjik, ishte duke u kthyer në banesë ku jetonte me nënën e saj.

Familja Curri që gjatë tërë ditës ka pritur njerëz për ngushëllime, e kanë lejuar po ashtu edhe familjen Salihu që të vijnë në të pame dhe varrim.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, ka hequr dyshimet se kjo mund të jetë vrasje.

Sipas togerit Nazmi Zogaj, policia është duke e trajtuar rastin si aksident trafiku me fatalitet.

Familja e 19 vjeçares Bleranda Curri, edhe vitin e kaluar u përball me një ngjarje të kobshme.

Pasditen e 21 prillit e vitit të kaluar, u gjet i vdekur babai i Blerandës, Bedri Curri, ish-ushtar i UÇK-së, e që dyshohej se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Vdekja e tij vazhdon të mbetet e dyshimtë, pasi që ende nuk janë zbuluar rrethanat e vrasjes dhe askush deri më tani nuk është arrestuar.


Iu dha lamtumira e fundit vajzës së ish... by kohanet