Qeveria e Kosovës sot emëroi Komisionin e ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.
Florim Isufi, anëtar i Komisionit të ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, tha se ky komision është i ri me njerëz të ri, por se thotë se nuk ishte dashur të krijohet.
“Ndoshta nuk ishte dashur të krijohet. Një pjesë e Grupit do të tentojë të gjejë një zgjidhje të kapshme si për palën kosovare, ashtu edhe për palën tjetër”, tha ai për televizionin publik.
Isufi ka thënë se nuk merret me vlerësimet e politikanëve.
“Për një periudhë të shkurtër kohore, do të bëjmë raport, ndërsa politikës i mbetet të zgjedh. Unë kam përtuar të hyjë në këtë komision, pasi që po krijohet një bindje se është një lloj opozite me Komisionin e kaluar”, tha ai.
Isufi, bëri me dije se Komisionit të ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i nevojiten 30 ditë për të bërë një raport final për këtë detyrë të caktuar.
Ndryshe Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij. Komisioni do të ketë këtë përbërje: Shpejtim Bulliqi, Universiteti i Prishtinës, kryesues; Zejnullah Gruda, Universiteti i Prishtinës, anëtar; Martin Berishaj, Universiteti i Lubjanës, anëtar; Hamit Basholli, Gjeodet, anëtar; Florim Isufi, Universiteti i Prishtinës, anëtar.
Në Komision do të përfaqësohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës; i Ministrisë së Punëve të Brendshme; i Ministrisë së Infrastrukturës; si dhe dy përfaqësues të komunitetit, pa të drejtë vote (Riza Smaka dhe Zymer Neziri).