Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë dekretimit të Blerim Isufajt kryeprokuror të shtetit.
Një prej kundërkandidatëve të Isufajt, Shqipdon Fazliu, pati paraqitur kërkesë në gjykata për vlerësimin e vendimit të Këshillit Prokurorial. Themelorja, Apeli e Supremja patën vendosur që padia ishte e pasafatshme dhe këtë e ka konstatuar edhe Kushtetuesja. Ishte ky proces gjyqësor mbi të cilin presidentja Vjosa Osmani arsyetonte mosdekretimin e Isufajt, tash e një vit që nga zgjedhja si kryeprokuror.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet po ashtu se aktgjykimi i Supremes, ndërlidhur me aktvendimin e apelit dhe të Themelores, nuk janë në kundërshtim me “Të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendim të Kushtetueses.
Vetë Fazliu ka thënë se vendimi i Kushtetueses s’ka të bëjë me meritat rreth procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit.
“Gjykata Kushtetuese thjesht tha se kërkesa ishte dashur të trajtohej fillimisht nga gjykatat e rregullta. Ndërsa gjykatat e rregullta thanë se kërkesa ishte e pasafatshme. Mirëpo, asnjë vendim meritor nuk është marrë. Pra, gjykatat as nuk kanë thënë se procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Shtetit ishte i ligjshëm, e as që ishte i paligjshëm. Mbetet që presidenti i Kosovës të japë vlerësimin e parë dhe të fundit nëse procesi i këtij rasti ishte i drejtë, meritor dhe i ligjshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Isufaj është zgjedhur kryeprokuror i shtetit më 6 prill 2022.
Presidentja Osmani në vazhdimësi e pyetur për shtyrjen e dekretimit potencial të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, arsyetohej me kontestimin e procesit nëpër gjykata. Ajo pati deklaruar se pret përfundimin e proceseve gjyqësore për t’i dhënë epilog çështjes.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vendimi i Kushtetueses nuk e obligon presidenten për të marrë vendim mbi propozimin e KPK-së.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e prokurorit të shtetit s’ka vendosur mbi meritën e rastit. Gjykata Kushtetuese s’e ka vlerësuar nëse KPK ka zhvilluar proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata Kushtetuese nuk e obligon Presidenten lidhur me vendimmarrjen në propozimin e KPK-së. Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar vendimet e gjykatave të rregullta se ankesa është e pasafatshme”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.