Ish-ushtari i UÇK-së, Isuf Gashi, i njohur si Baca, është ftuar nga Gjykata Speciale.
Sipas njoftimit që ka bërë dega në Rahovec e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ai do të intervistohet nesër, më 20 shkurt.
As për Gashin nuk janë dhënë detaje se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja.
Sipas OVL të UÇK-së në Rahovec, Isuf Gashi ishte ushtar i celulave të para të UÇK-së, njeri ndër themeluesit e Shtabit Regjional në Drenoc të Rahovecit, ku si rrjedhojë u formua edhe Brigada 124 “Gani Paçarizi” e më vonë edhe Zona Operative e Pashtrikut.
Është invalid i luftës, i cili u plagos rëndë në vitin 1998.
“Jemi të sigurt që ky do t’i mbrojë vlerat e luftës së UÇK-së në mënyrë dinjitoze dhe do t’i ngrit vlerat e kësaj lufte edhe më lartë! Respekt për bashkëluftëtarin Isuf Gashi dhe gjithë luftëtarët e lirisë”, thuhet në njoftimin e OVL të UÇK-së.