Pretendimet se ka pasur zhdukje të dokumenteve nga sistemi elektronik i brendshëm i Policisë së Kosovës - PRIMS dhe ndërhyrje të tjera në Zyrën e Prokurimit, janë arsyet që i ka përdorur Vjollca Balaj në letrën e saj të dorëheqjes nga pozita e shefes së prokurimit në këtë institucion.
Balaj dorëheqjen e ka ofruar dy ditë më herët, pasi fillimisht ka adresuar ankesat në menaxhmentin e tanishëm, por edhe atë paraprak.
Në një sqarim për media, Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e KOHËS, por ka shtuar se, përveç dyshimeve të ish-shefes së prokurimit për ndërhyrje në sistemin PRIMS, ajo ka pasur edhe ankesa të tjera.
"Zyrtarja në fjalë, në dorëheqjen e ofruar ka potencuar disa dyshime të ngritura nga ana e saj, mbi disa parregullsi të cilat ia ka adresuar më parë menaxhmentit të lartë (të mëparshëm) të PK-së dhe disa dyshime, sipas saj, për parregullsi në sistemin PRIMS të PK-së, përfshirë edhe disa adresime të vazhdueshme ndaj mbikëqyrësit të saj", thuhet nga Policia e Kosovës.
Ky institucion ka thënë së këto dyshime tani i kanë adresuar edhe në Inspektoratin Policor për hetim të mëtutjeshëm.
"Vlen të potencohet se tani u. d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti, në momentin e pranimit të informacioneve zyrtare me datën (04.11.2020) për të gjitha dyshimet e ngritura nga ana e zyrtares në fjalë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme ligjore, duke e trajtuar dhe adresuar në mënyrë zyrtare shkresën edhe tek Inspektorati Policor i Kosovës, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme", thuhet në sqarimin e PK-së.
Ata kanë thënë së kësaj zyrtareje do t’i kryhej mandati.
Në lidhje me dyshimet se ka pasur ndërhyrje në sistemin e brendshëm të Policisë së Kosovës, kryetarja e komisionit për Çështje të Sigurisë, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, ka adresuar kërkesë për sqarime së për çfarë dokumentesh të zhdukura bëhet fjalë.
"Nisur nga përgjegjësia që ka Ministria e Punëve të Brendshme, kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë rast. Përkatësisht a janë fshirë dokumente të prokurimit nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS? Për çfarë dokumentesh konkretisht bëhet fjalë dhe me çfarë kontrata kanë të bëjnë këto dokumente të fshira? Po ashtu, informacione të detajuara lidhur me funksionimin e Departamentit të Prokurimit në kuadër të Policisë së Kosovës, respektivisht sfidat dhe problemet me të cilat është përballur ky departament", thuhet në letrën e Komisionit.
Koha Ditore ka raportuar për dorëheqjen e Balajt. Ajo është kontaktuar, por nuk ka dashur të deklarohet.