Arbëri

Ish-pushimorja në Nashec shndërrohet në Qendër për mbrojtjen e fëmijëve

Qendra për mbrojtjen e fuqizimin e fëmijëve po synohet që të krijohet në ish-pushimoren e fëmijëve në Nashec, që aktualisht është në gjendje të palakmueshme. Për këtë gjë i kanë bashkuar forcat Komuna e Prizrenit, organizata “Terres des Hommes” dhe Ambasada e Japonisë, me qëllim që t’i përkrahin fëmijët e cenueshëm

Ish-pushimorja e fëmijëve në Nashec të Prizrenit e lënë pas dore prej vitesh, planifikohet që të shndërrohet në Qendër për mbrojtjen e fuqizimin e fëmijëve të cenueshëm. Fillimin e shpejtë të punimeve për transformimin e këtij kompleksi e kanë paralajmëruar të premten drejtuesit e Komunës së Prizrenit, përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Terre des Hommes” dhe ata të Ambasadës së Japonisë.

Fjolla Hoxha-Tërmkolli, nga OJQ “Terres des Hommes”, ka bërë të ditur se kjo qendër do të vihet në funksion për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje, por pa u kufizuar vetëm tek ta, meqë do të mund të vizitohet nga të gjithë fëmijët.

“Kjo qendër do të ofrojë mbrojtjen dhe fuqizimin e tyre përmes aktiviteteve të ndryshme psiko-sociale, shërbimeve psikologjike, si dhe aktivitete të ndryshme, të cilat do t'ju ofrojnë fëmijëve mbrojtje, por edhe kënaqësi dhe argëtim”, ka thënë ajo.

Sekretarja e dytë në Ambasadën e Japonisë, Kay Kurimoto, ka pohuar se ky projekt i mbështetur me 70 mijë euro synon që të ofrojë shërbime të nevojshme mbrojtjeje dhe arsimore për fëmijët e cenueshëm që rrezikohen nga abuzimi dhe trafikimi.

“Kemi pranuar informata se Prizreni meqë gjendet afër kufirit ballafaqohet me problemin e trafikimit të fëmijëve, madje edhe në Prishtinë shohim fëmijë në situatë rruge që nuk duhet të ndodhë, dhe ndonëse Qeveria japoneze apo ambasada s'mund t’i mbrojë në mënyrë direkte, por përmes OJQ-së që merret me këtë çështje mund t’i mbështesim këta fëmijë të cenueshëm në Kosovë”, ka deklaruar diplomatja japoneze.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se ish-pushimorja e Nashecit ka hapësira të mjaftueshme për të shërbyer si Qendër për mbrojtjen e fuqizimin e fëmijëve.

dimë që kjo pushimore ka lokacion mjaft të gjerë, ka edhe objekte që mund të shërbejnë për shumë nevoja edhe do të jetë në gjendje që me mundësitë që i ofron dhe mundësitë që i ka të krijojë parakushte që komplet projekti ashtu siç është i menduar nga ana e OJQ-së edhe i pranuar nga ana e ambasadës, për shkak se financohet nga ta, në bashkëpunim dhe në pajtim me Komunën e Prizrenit ta shndërrojmë në qendër për fuqizimin e fëmijëve, ku do të jepen shërbime të llojllojshme për fëmijët të cilët kanë nevojë të marrin trajtime të tilla”, është shprehur ai.

Autoritetet lokale në gusht të vitit 2018 patën njoftuar se kërkesa për kthimin e pushimores së fëmijëve në Nashec në menaxhim të Komunës ishte aprovuar nga niveli qendror dhe asokohe patën paralajmëruar se ky kompleks së shpejti do të jetë në shërbim të qytetarëve. Ndërsa në vitin 2020, gjatë pandemisë, Komuna e Prizrenit me mjete vetjake pati intervenuar në këtë pushimore, duke e përgatitur këtë kompleks si vendkarantinë eventuale.