Arbëri

Ish-ministri Bajrami akuzohej për uzurpim trotuari, i biri merr përgjegjësinë

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ishte akuzuar publikisht se e ka zënë trotuarin afër shtëpisë së tij me dyert e oborrit.

Sipas një banori të lagjes së njohur me emrin “Lagjja e Doktorëve”, pranë shtëpisë së Bajramit trotuari është uzurpuar.

Kështu ai ka ftuar organet kompetente të reagojnë për këtë çështje. Ndonëse reagoi publikisht, ai nuk pranoi që të flasë para kamerave.

Por vetë ish-ministri ka thënë se ai nuk ka bërë asnjë ndërtim, ngasë ka vite që nuk jeton aty.

I biri i tij Kushtrimi thotë se ai është pronar i objektit, duke pranuar se ai e ka zënë trotuarin me dyert e garazhit. Kushtrimi ka kërkuar që prindi i tij të mos përfshihet në këtë çështje derisa ka treguar arsyen e veprimit.

“Shtëpia është e familjes sime. Jetoj që 18 vjet dhe ligjërisht unë jam pronar. Këtu në lagjen tonë operojnë dy institucione, një ordinancë private ortopedike dhe një shkollë private. Për shkak të kësaj situate, çdo pasdite kemi një fluks të madh të veturave që i frekuentojnë këto dy lokale. Në këtë situatë dhjetëra herë më ka ndodhur të mos kem qasje në dyert e oborrit. Jo rrallëherë më ka ndodhur të mos mundem të shkoj t’i marr fëmijët nga shkolla për shkak se nuk kam pasur qasje. I gjendur në këtë situatë jam detyruar të vendosi derën e garazhit për 20 centimetra më larg, në mënyrë që të pamundësohet parkimi i veturave para garazhit”, ka deklaruar ai.

Fillimisht ai thotë se ka tentuar t’i ndalojë ata me disa pengesa, mirëpo pa rezultat.

“Kam tentuar t’i kontaktojë organet e rendit, policinë vetëm nëse vijnë të qëndrojnë këtu gjatë tërë kohës. Për këtë e kam bërë një zgjidhje të përkohshme në mënyrë që të mundësohet hyrja-dalja. Unë jam ndër banorët e rrallë që veturat i parkoj brenda oborrit, për dallim prej fqinjëve të tjerë që i parkojnë jashtë, për t’u siguruar që të tjerët nuk ia zënë qasjen. Unë me qenë se i parkoj brenda, shpeshherë ka ndodhur të bllokohen për ata që vijnë në ordinancë ose në shkollë”, ka shtuar i biri i ish-ministrit Bajrami.

Ai pranon se për këtë nuk ka marrë leje, duke shtuar se e ka menduar si një zgjidhje të përkohshme.

Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, nuk është përgjigjur për këtë problem me gjithë përpjekjet disaditore.