Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IPK-ja nis hetim për reagimin e Policisë në protestën e PSD-së

Inspektorati Policor ka njoftuar se ka nisur hetimin për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës të së mërkurës në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Përmes një komunikate për media, IPK-ja ka thënë se lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në njoftim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar hetim për sjelljen e Policisë ndaj gazetarëve gjatë protestës së PSD-së të mërkurën.

“Pamje dhe fotografi të reja kanë shfaqur brutalitetin a paprecedent, me të cilin janë ballafaquar sot gazetarët, fotografët dhe pjesëtarë të tjerë të mediave, gjatë protestës së PSD-së.  Në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer punën e vet profesionale.  Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medies, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve te mediave.  AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës që të tregojë profesionalitet në ballafaqimin me situata të tilla, dhe të mos bëjë në asnjë formë target gazetarët e kameramanët, duke i lejuar ata që të papenguar të bëjnë punën e tyre në informim të publikut”, thuhet në thirrjen e AGK-së.