Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Imzot Lush Gjergji gjatë meshës së Krishtlindjeve bën thirrje për dashuri, paqe e lumturi

Sot u mbajt mesha e Krishtlindjeve në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Imzot Don Lush Gjergji uroi të gjithë besimtarët për këtë festë dhe bëri thirrje për dashuri, lumturi dhe paqe përbrenda vetes tonë, rrethit dhe familjeve tona, raporton Koha Ditore.

“Ju dëshirojmë për shume mote, nga zemra, Krishtlindjen, festa e jetës, festa e dashurisë dhe festa e paqes. Të gjithë kemi nevojë të jetojmë me dashuri sepse është parakushti i lumturisë, gjithë dëshirojmë të jemi në paqe me vetveten me njëri tjetrin dhe me zotin”, tha Don Lush Gjergji.

Festa e Krishtlindjes apo festa e Kërshëndellave, është festa e jetës dhe e një jete me dinjitet dhe liri.

“Festa e Kërshëndellave është festë e jetës, e një jete me dinjitet e një jete me liri dhe me përgjegjësi, e një jete me përkushtim dhe dashuri, dhuruesi i jetës është i madhi zot, dhe ne që e kemi pranuar jetën nëpërmes zotit, prindërve tanë, sot jemi këtu për ta falënderuar zotin që jetojmë, që na ka mundësuar të jetojmë jo si do, jo për çka do, por të jetojmë të frymëzuar dhe të motivuar”, shtoi më tej, Don Lush Gjergji.