Muamer Svirca, invalid i luftës së UÇK-së, të martën e ka lënë protezën e këmbës së amputuar para objektit të Komunës së Prishtinës, me pretendimin se kryetari Shpend Ahmeti nuk po e takon për t`i dëgjuar hallet e tij.
Në protezë Svirca i ka vendosur disa letra dedikuar Ahmetit. Ai ka thënë se aty ndodhen letrat, të cilat që prej katër vjetësh pohon t`ia ketë adresuar kryetarit Ahmeti. Ai thotë se ka adresuar në to çështjen e udhëtimit pa pagesë në trafikun urban për të si invalid lufte, si dhe ka kërkuar sqarim se ku shkojnë të hyrat nga parkingjet që Komuna ia ka dhënë në shfrytëzim Shoqatës së Invalidëve të luftës- dega në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Ai thotë se si invalid nuk përfiton asgjë nga këto të hyra, ndonëse rasti i tij është ndër më të rëndët në Komunën e Prishtinës.
Por proteza e tij nuk qëndroi gjatë aty ku ai e la. Atë e largoi një zyrtar nga kabineti i kryetarit Ahmeti, i cili pastaj zhvilloi një bisedë më Svircën.
(Tekstin e gjerë lexojeni sot në “Koha Ditore”)