Enea Gollopeni, tash 8-vjeçare, para 4 vjetësh, është shpallur me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe niveli i diturisë së saj mbërrin numrin 153, sipas standardeve ndërkombëtare.
Ajo mëson në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”. Është shumë e kënaqur me moshatarët e saj, por nganjëherë kur detyrat i kryen e para, ka dëshirë të mbajë edukatë fizike që të relaksohet, raporton KTV.
Inteligjencë të jashtëzakonshme posedon edhe Arian Jashari, i cili mësimet po ashtu i vijon në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”.
Ariani nivelin e inteligjencës e ka 144 dhe ka më shumë prirje në lëndën e matematikës.
Prindërit kanë vendosur që këta fëmijë t’i regjistrojnë në shkolla publike, në mënyrë që të mos e ndiejnë vetën superior ndaj të tjerëve.
Mirëpo, nga Instituti Atomi, që ua ka bërë vlerësimet e inteligjencës, thonë se këtyre fëmijëve nuk është mirë t’u mohohet inteligjenca.
Njëkohësisht, Atomi bëhet urë lidhëse që këta fëmijë të marrin bursa dhe të gëzojnë benificione të tjera.
Me inteligjencë superiore, me rezultatin 120, është identifikuar edhe Lejla Miftari. Ajo është regjistruar tash në klasë të parë në shkollën fillore “Milhal Grameno” në Fushë Kosovë.
Mirëpo, po ka telashe të kuptohet me nxënësit e klasës, pasi flet vetëm anglisht.
Pavarësisht shkallës së inteligjencës, për këta fëmijë nuk ka shkolla apo programe të veçanta.
KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Arsimit nëse ka në plan të ndërtojë shkollë speciale për këta fëmijë apo nëse ka metoda për t’i stimuluar ata.
Mirëpo, sipas përgjigjeve, MASHT-i ende nuk ka planifikuar diçka të tillë.
Ministria tash për tash ka formuar vetëm një komision prej tre anëtarësh, që organizon avancimin e nxënësve për një klasë ose për një nivel tjetër shkollor.