Kërkesat e shumta që u erdhën nga bashkatdhetarët për shkak të festës së pavarësisë, kanë bërë që kontrollorët e Agjencisë së Trafikut Ajror ta pezullojnë grevën.
Ndonëse këtë të premte janë anuluar 8 fluturime ardhje –shkuarje, si shkak i kësaj greve, kontrollorët në mesditë kanë pezulluar grevën, raporton KTV.
Ata thonë se morën sinjale pozitive nga Ministria e Infrastrukturës.
Megjithatë, institucionet kanë një javë kohë që t’i marrin parasysh kërkesat e kontrollorëve ajrorë.
Përfshirja e menaxhmentit të ASHNA-së në Ligjin për Pagat, sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, cenon autonominë e këtij institucioni.
Por, greva 8-orëshe e kontrollorëve të trafikut ajror ka bërë që nga 19 fluturime, 8 prej tyre shkuarje-ardhje, të anulohen.
Shumë prej udhëtarëve nuk u njoftuan për këto anulime.
Ministria e Infrastrukturës, përmes një përgjigjeje me ,shkrim ka thënë se kontrollorët nuk mund të mbajnë greva dhe njëkohësisht t’i vazhdojnë konsultimet për arritjen e kërkesave të tyre.
Sipas kësaj ministrie, Pal Lekaj ka paraqitur edhe një memorandum të mirëkuptimit, ku janë të përfshira të gjitha kërkesat e SINKON-it dhe ku janë dhënë të gjitha zotimet se të njëjtat do të shtyhen përpara deri në realizimin e tyre.