Arbëri

Institucionet heshtin për rastin e 18-vjeçares - ende s’ka përfunduar raporti i obduksionit

Reagimet e shumta për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, tash e disa javë janë kthyer në heshtje, nga ana e institucioneve të Kosovës. Derisa ende nuk ka përfunduar raporti i obduksionit, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor, e Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk janë përgjigjur për paralajmërimet e shumta se do të marrin masa ndaj zyrtarëve që lanë në liri dy të dyshuarit për vdekjen e saj.

Edhe pas më shumë se 3 jave që nga vdekja e 18-vjeçares Marigona Osmani, nga komuna e Ferizajt, Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk e ka përfunduar raportin e obduksionit për rrethanat që dërguan në vdekjen e saj.

Naim Haliti, i cili po merret me këtë çështje, ka thënë shkurt për KOHËN, se janë duke punuar dhe se janë në proces të analizave përfundimtare.

Pavarësisht mospërfundimit të raportit, familja ka marrë një certifikatë, sipas së cilës vdekja e saj ka ardhur nga dhuna e vazhdueshme e ushtruar nga dy të dyshuarit, të cilët gjenden në paraburgim.

Dardan Krivaqa, i cili ishte duke bashkëjetuar me viktimën, e Arbër Sejdiu janë të dyshuarit kryesorë për vdekjen e saj, e të cilët ishin edhe të njohur për organet e drejtësisë, për shkak të së kaluarës.

Për të hulumtuar rrjedhën e rastit dhe se si ishin lënë në liri, ministri i Punëve të Brendshme kishte paralajmëruar hetim për zyrtarët policorë që janë marrë me rastet e tyre.

“Marrë shkas nga rasti i fundit, kam kërkuar krijimin e grupit për hetimin e së kaluarës të kriminelëve të përfshirë në rast, si dhe nga Inspektorati i PK-së të fillojë inspektim mbi trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga zyrtarët e Policisë në Kosovë”, pati deklaruar Xhelal Sveçla.

Sveçla kishte deklaruar se ka kërkuar që ky hetim të përfundojë në kohë urgjente.

Teksa nga MPB-ja kanë thënë se për këtë duhet të përgjigjet Policia, kjo e fundit e ka hedhur përgjegjësinë te Inspektorati. E nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë thënë se janë duke realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në Policinë e Kosovës, për të vlerësuar kryerjen e detyrave policore gjatë trajtimit të rasteve të dhunës.

“Duke iu referuar kërkesës ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës është duke realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në Policinë e Kosovës për të vlerësuar kryerjen e detyrave policore gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Departamenti i Inspektimeve në kuadër të IPK-së është në fazën e përgatitjes së raportit të këtij inspektimi”, ka thënë IPK-ja.

Masa ndëshkuese kishte paralajmëruar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për gjyqtarët që nuk e kishin trajtuar rastin e Arbër Sejdiut, i cili kishte aktakuzë të ngritur, nga viti 2013 për tentimvrasje.

Por as zyrtarë të këtij Këshilli nuk janë përgjigjur në interesimin e KOHËS, nëse ka pasur ndonjë gjyqtar të ndëshkuar deri tash.

E gjithë kjo, sipas shoqërisë civile, tregon se përgjegjësit institucionalë, vetëm paralajmërojnë e nuk veprojnë.

“Si e tillë gjithçka të ecë më tutje në mënyrë që të zbardhet rasti sa më shpejt, sepse në të kundërtën nëse ka zvarritje të shpeshtuara në këtë rast e tregon se neglizhenca e institucioneve po vazhdon, pavarësisht reagimeve e gjithë asaj buje”, është shprehur Arrita Rezniqi nga IKD-ja.

Sipas, Prokurorisë në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar, se më 22 gusht 2021, i pandehuri Dardan Krivaqa, në banesën e tij me dashje e në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë më parë kishte ushtruar dhunë psikike e dhunë fizike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë. Aty tutje thuhet se gjatë gjithë kohës i pranishëm ishte edhe Arbër Sejdiu, të cilit po ashtu i është shqiptuar masa e paraburgimit, sepse i njëjti edhe kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.

Të dy këta, të cilët janë shokë mes vete, të dielën e 22 gushtit Marigona Osmanin, e kishin dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt, për çka tashmë po dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.