Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Vitisë, të martën, ka zhvilluar një aksion, duke i rrënuar disa objekte të cilat ishin ndërtuar në pronën komunale, me qëllim që në lokacionin ku edhe ishin ndërtuar objektet në fjalë të lirohet hapësira për objektin e zjarrfikësve, i cili është në ndërtim e sipër.
Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Vitisë, Skënder Ahmeti, ka deklaruar se kështu do të lehtësohet hyrja dhe dalja e automjeteve të zjarrfikësve me qëllim që ata të kryejnë punën e tyre pa penguar në interes të gjithë qytetarëve tanë. “Kemi liruar shumë hapësira publike dhe ne do të vazhdojmë që të bëjmë të njëjtën gjë, duke i liruar edhe ato tjerat me qëllim që të shfrytëzohen nga qytetarët dhe jo nga individët”, ka thënë ai (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).