Organizata INPO ka reaguar fuqishëm ndaj, siç thotë, papërgjegjshmërisë së anëtarëve të kuvendit komunal të Prishtinës për të përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre ligjore në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Prishtinës.
Kjo organizatë thotë se ndërprerja e seancës së Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, si rezultat i mosangazhimit dhe përkushtimit të pjesës dërrmuese të anëtarëve në punime, është e papranueshme dhe kundërshtim me të gjitha standardet e demokracisë përfaqësuese dhe është tregues i qartë i mungesës së integritetit të zyrtarëve publik.
“Anëtarët e kuvendit komunal në këtë mandat, kanë dëshmuar se nuk janë të interesuar për të avancuar demokracinë e brendshme të komunës së Prishtinës dhe për të përmbushur misionit e tyre ligjor, si organi më i lartë vendimmarrës në komunë. Papërgjegjshmëria e kuvendit komunal në kryerjen e funksionit të detyrueshëm sipas standardeve të përcaktuara me ligj, rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve,shkakton paqëndrueshmëri në menaxhimin e punëve publike dhe ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës, si dhe ndikon direkt humbjen e besimit të qytetarëve në organet komunale”, thuhet në reagimin e INPO-së.
Në mungesë të vendimmarrjes së kuvendit, INPO thotë se Komuna e Prishtinës në vazhdimësi është duke rrezikuar realizimin e një morie kompetencash të rezervuara për pushtetin lokal, siç është edhe planifikimi hapësinor lokal dhe menaxhimi me pronat komunale, pika këto që ishin paraparë për diskutim në këtë mbledhje, por që nuk arritën të marrin asnjë epilog.
INPO i bën thirrje kryesuesit të kuvendit dhe të gjithë anëtarëve pa dallim, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme sipas ligjit për të garantuar funksionalitetin e kuvendit, përndryshe, sipas kësaj organizate që monitoron punën e Kuvendeve komunale, ky kuvend rrezikon të mos realizojë obligimin ligjor për mbajtjen e së paku pesë (5) mbledhjeve të rregullta në gjashtë (6) mujorin e parë të vitit, rrjedhimisht të përsërisë shkeljen e vitit të kaluar.
Gjithashtu, INPO fton ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si institucion mbikëqyrës i qeverisjes lokale që të jetë më azhure në garantimin e zbatimit të ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe të kërkojë që të sigurohet funksionaliteti i Kuvendit Komunal të Prishtinës.