Organizata INPO reagon ndaj neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së organeve komunale të Prishtinës, respektivisht kryetarit të komunës Shpend Ahmeti dhe kuvendit komunal, në zbatimin e obligimeve ligjore për planifikimin e politikave fiskale dhe financiare të komunës.
INPO thotë se Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vetëm edhe tri ditë kohë për të miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2019-2021, ndërsa Komiteti për Politikë dhe Financa ende nuk e ka pranuar draftin e saj për ta shqyrtuar sikurse obligohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Madje, drafti i kësaj kornize nuk është hedhur fare në diskutim publik.
Sipas ligjeve në fuqi dhe Qarkores Buxhetore 2019/01 të Ministrisë së Financave, INPO thotë se komunat janë të obliguara deri më 30 qershor të miratojnë KASH-in, i cili është një ndër dokumentet më strategjike të komunës. Ai, sipas kësaj organizate, përmban parashikimet reale të politikave fiskale dhe financiare dhe objektivat zhvillimore për tre vitet e ardhshme.
“Mbledhja e Kuvendit të Prishtinës për miratimin e këtij dokumenti ende nuk është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit edhe pse tashmë të gjitha afatet ligjore janë shkelur. Gjithashtu, Kuvendi ka dështuar të zbatojë edhe planin e vet të punës për vitin 2018, në të cilin është paraparë që ky dokument të shqyrtohet në mbledhjen e muajit qershor si dhe të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin fiskal aktual”, thuhet në reagimin e INPO-s.
Organizata në fjalë thotë se kjo nuk është hera e parë që Ekzekutivi i Prishtinës injoron obligimet ligjore në raport me hartimin dhe miratimin e KASH pasi edhe vitin e kaluar komuna ka vepruar në të njëjtën mënyrë duke mos përfillur ligjet në fuqi dhe duke e injoruar në tërësi kuvendin komunal.
Edhe
INPO: Komuna e Prishtinës cenon miratimin e Kornizës Afatmesme
Për më tepër, INPO shpreh shqetësim për mos zbatimin e parimeve të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në hartimin e këtij dokumenti. Sipas ligjeve në fuqi, komuna është dashur që gjatë muajit qershor të mbajë takime publike me qytetarë dhe grupe të tjera të interesit për të marrë komentet dhe propozimet e tyre rreth këtij dokumenti.
INPO vlerëson se kjo papërgjegjshmëri e organeve komunale cenon rëndë sundimin e ligjit në komunë dhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e ligjeve dhe kërkon nga përfaqësuesit e organeve komunale të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre ligjore për përfaqësim të denjë të interesave të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
-
INPO: Prishtina sërish dështon ta miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve
-
INPO: Ahmeti vonon buxhetin e propozuar të Prishtinë për vitin 2018
-
Prishtina cenon miratimin e Kornizës Afat Mesme të Shpenzimeve 2018-2020
-
INPO: Projektbuxheti i Prishtinës s’i përmbush kriteret ligjore, Rama e Kuvendi Komunal shkelën ligjin