Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Inkurajohen infermierët për vizita në shtëpi të nënave dhe fëmijëve

Në Gjilan sot është mbajtur takimi i rregullt i infermiereve, të cilat realizojnë vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë. Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Qëllimi i këtij takimi, sipas njoftimit për media nga kjo Ministri, ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave infermierike gjatë vizitave në shtëpi si dhe monitorimi i rezultateve të arritura gjatë periudhës janar-shtator 2018.

Gjatë këtij viti janë realizuar 7936 vizita në shtëpi. Këto vizita aktualisht zhvillohen në 14 komuna: Prizren, Dragash, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Viti, Shtime, Dardanë, Kacanik dhe Hani i Elezit.

Deri në fund të vitit 2018 nga këto vizita pritet të përfitojnë edhe Drenasi, Vushtrria dhe Skënderaj.

Siç raportohet, ministri me këtë rast tha se do të jetë i gatshëm të ofrojë gjithë mbështetjen që këto vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë të zhvillohen dhe të rriten akoma. Ai i siguroi infermierët dhe koordinatoret e vizitave në shtëpi se nuk do të jenë vetëm në ofrimin e këtyre shërbimeve.