Pjesa më e madhe e pacientëve në njësinë intensive të Klinikës Infektive janë hospitalizuar dy ditët e fundit. Mosha e tyre është relativisht e re. Njëri nga pacientet e shtrirë në repartin që trajton rastet me të rënda është 31-vjeçar. Sipas mjekëve, të gjithë janë të pavaksinuar. Një pjesë e pacientëve janë mërgimtarë që kanë ardhur për pushime në Kosovë. Gjendje e rënduar është edhe në Pulmologji. Pacientët nuk ankohen në personelin shëndetësor, por në kushtet teknike, sidomos në shtretërit e dëmtuar
Qetësimi i situatës epidemiologjike me COVID 19 për rreth 3 muaj nuk ka ndikuar që kushtet në Klinikën e Pulmologjisë të përmirësoheshin, ndonëse në valët e tjera të përhapjes së virusit kjo klinikë ishte në qendër të kritikave.
Pasditen e së martës në njërin nga katet po bëheshin përgatitjet për pritjen e pacientëve, ndërsa që punët në renovimin e klinikës nuk kanë përfunduar ende.
Pacientët janë ankuar në kushtet e ofruara në Pulmologji, por janë shprehur falënderues në trajtimin e ofruar nga personeli shëndetësor.
Shkumbin Peci është i hospitalizuar qe 10 ditë. Gjendja e tij është përmirësuar. Ka fjalë të mira për stafin, por ka ankesa për numrin e vogël të tyre.
“Një njeri komplet repartin veç vetë e mbikëqyr”, ka thënë Peci.
E ai ka një porosi për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“E kam një apel për ministrin Vitia nëse është hala ministër. Le t’i çelë sytë. Ministri nuk mundet me i zhba hajnitë që kanë ndodhë qe 20 vjet, por veç me fjalë të thata nuk shkohet përpara”, është shprehur ai.
Edhe pacientë të tjerë kanë ankesë në çështje që nuk lidhen me stafin shëndetësor.
Në dhomë ankesat janë për shtretërit. Të tre shtretërit ku po trajtohen këta pacientë janë të dëmtuar.
“Kqyre qeto, kqyre qeto. Na u koqit shpina, jemi ba llom”, ka thënë Shaip Tahiri pacient.
Ankesa të ngjashme ka pasur edhe pacientja Hava Ademi.
“Njëjtë, s’po mundesh me ni veten rehat se krejt trupi po të dhemb. A nga ana e stafit shëndetësor krejt në rregull. Po terapi po kanë, por edhe me i ble po duhet”, ka thënë ajo.
Pulmologu Besim Morina gjatë së martës ka qenë mjek kujdestar në këtë klinikë. Ai ka treguar se në Pulmologji ka numër të madh të pacientëve të hospitalizuar, por edhe numër shumë të madh të pacientëve ambulantorë që vijnë në këtë klinikë për vizitë.
Ai ka folur edhe për mungesën e stafit në këtë klinikë
“Si në klinikat e tjera, edhe në këtë klinikë kemi mungesë stafit, sidomos një pjesë të stafit të infermierëve dhe specialistëve. Kemi shkurtuar të gjithë pushimet për shkak të nevojës për staf”, është shprehur ai.
As në Klinikën e Infektives gjendja nuk është fare e mirë.
Janë gjashtë pacientë në mjekimin intensiv dhe që të gjashtit janë të pavaksinuar. Gjendja e tyre është e rëndë e mosha e tyre e re.
Pacienti në dhomën 1 të kësaj njësi është 31 vjeç. Është hospitalizuar para disa ditëve dhe nuk ka sëmundje të tjera përcjellëse.
E pacienti afër tij është rreth 40-vjeçar. Nuk ka sëmundje të tjera përcjellëse, përveç nëse mbipesha llogaritet sëmundje, thotë një nga mjekët e repartit të intensives në këtë klinikë.
Shifrat e larta të të vdekurve dhe të infektuarve kanë vazhduar edhe të martën.
Trembëdhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa janë regjistruar edhe 1901 raste të reja pozitive.
Infektologu Lirim Tafilaj ka thënë se tashmë nuk ka vende të lira në këtë klinikë, për pacientë të rinj që mund të kenë nevojë për hospitalizim.
“Për momentin janë të shtrirë 119 pacientë. Janë kapacitetet e plota të mbushura. Disa pacientë janë në gjendje të rëndë. Pacientët që kanë nevojë për hospitalizim i orientojmë edhe në klinikat e tjera për COVID”, ka thënë ai .
Një tjetër pacient është në Intensiv. Është i pavaksinuar. Jeton në Zvicër, por ka ardhur javë më parë për vizitë në Kosovë. Gjendja e tij është e rëndë si pasojë e COVID 19.
Një pjesë e madhe e pacientëve në këtë klinikë janë mërgimtarë.
I hospitalizuar, por në gjendje me të lehtë është edhe një mërgimtar, i cili është edhe shtetas i Italisë.
“Këtu kom ardhë e kom marrë Covidin në vendin tonë... Po kam pasë mundësi, kam pasë oferta që me ardhë aeroplani prej Gjermanie me më marrë, por nuk kam pranu unë, kam dashtë në vendin tem se edhe këtu funksionon”, ka thënë ai.
Gjendja me COVID 19 është përkeqësuar në muajin gusht. Shumica e të infektuarve në këtë valë sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë me variantin Delta, që përhapet me shpejtësi. Kjo Ministri ka hapur konkurs për 1160 punonjës shëndetësorë për trajtimin e rasteve me COVID 19. Përderisa situata është e rënduar në spitale, konkursi është duke vazhduar e nuk dihet kur do të përfundojë.
Ndonëse në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e COVID 19, parashihet që punonjësit shëndetësorë të marrin shtesa, ende nuk është marrë ndonjë vendim në Qeveri për këtë çështje. MSh-ja kanë thënë se një gjë e tillë pritet të bëhet nga muaji i ardhshëm, por siç ka mësuar KOHA, shtesat nuk do të jenë si në të kaluarën.