Arbëri

Imri Ahmeti refuzon të hyjë në “vallet personale” të bashkëpartiakëve të tij

Foto: Ilustrim

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, që është edhe nënkryetar i LDK-së, ua ka tërhequr vërejtjen bashkëpartiakëve të tij që të mos tentojnë ta shkatërrojnë partinë duke u përplasur në publik për, siç thotë ai, “hesapet tuaja personale”.

Në një postim në Facebook, Ahmeti, ndonëse nuk ka përmendur emra, si duket ka kritikuar qasjen e dy nënkryetarëve tjerë të partisë, Vjosa Osmanit e Agim Veliut, të cilët ditëve të fundit kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit.

Osmani, ditë më parë, në emisionin DESKU të KTV-së, bëri kritika të shumta ndaj Veliut, mes tjerash duke e cilësuar atë si refuzues për ta ndihmuar partinë kur kjo pati nevojë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Madje Osmani tha se Veliu nuk është dashur të jetë fare pjesë e Qeverisë, pasi që, sipas saj, ai ka qenë kundër një koalicioni me LVV-në si dhe për faktin se nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, raporton KOHA.

Ndërkaq, Veliu, përmes një statusi në Facebook, dje bëri kundër-akuza ndaj Osmanit, duke e quajtur atë, mes tjerash, edhe “përkthyese të Thaçit”.

E si duket, Ahmeti nuk po dëshiron të mbajë anën e asnjërit, dhe ka thënë se refuzon të hyjë “në vallet personale” të tyre.

“Borxh ky vend e kjo shoqëri nuk i ka askujt që ushqen urrejtje e mbjellë klimë përçarëse. Refuzimi ynë është refuzim ndaj egove tuaja”, tha Ahmeti ndër të tjera.

Ai tha se referenca në të kaluarën është paketim i pretendimeve personale, ndërsa shtoi se ua njohin ua pranojnë kontributet atyre, “por nuk ju lejojmë të keqpërdorni për interesa tuaja shtëpinë tonë asnjërit”.

“As kujdestarët që bëjnë aktrimin e të fortit e as ata që bëjnë aktrimin e shpëtimtarëve të vetëshpallur nuk mund të na tërheqin në vallen e orkestruar me vegla e dirigjent sipas shijes tuaj. Shtëpia e madhe nuk mund të rrënohet nga individ, nuk është pronë e askujt. Refuzojmë këto lojëra, refuzojmë këtë kulturë të diskursit. Refuzojmë, Refuzojmë...”, u shpreh nënkryetari i LDK-së, Imri Ahmeti.