Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Imeri: Për BE-në, veriu i Kosovës është territor tjetër

Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, ka thënë se veriu i Kosovës për Bashkimin Evropian konsiderohet si një territor tjetër dhe kjo, sipas tij, është diçka jashtëzakonisht e keqe dhe mbajtje e anës në dialog.

Duke komentuar zhvillimet e sotme, ku pritej që strukturat ilegale të largoheshin nga komuna paralele në Mitrovicë të Veriut, Imeri ka thënë se me këto qëndrime, ndërkombëtarët po bëhen palë në dialog.

“Veriu i Kosovës për BE-në është një territor tjetër. Institucionet e vendit tonë nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Është diçka e jashtëzakonshme, për keq. Është mbajtje e anës. Kjo është kthim mbrapa. Nëse ndërkombëtarët kanë këtë qëndrim, ata nuk janë ndërmjetësues, por palë”, ka thënë Imeri në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka thënë se strukturat paralele në veri janë mekanizma parapolitikë të Serbisë për t’i mbajtur nën kontroll serbët lokalë.

“Janë mekanizma parapolitikë për t’i pasur nën kontroll serbët lokalë dhe për të pamundësuar shtrirjen e sovranitetit nga Kosova. Kjo tregon edhe për qasjen reale që Serbia ka për vendin tonë dhe do të ketë ndikim edhe për procesin negociues”, ka shtuar Imeri.

Edhe Mungojnë veprimet për integrimin e dy sistemeve paralele serbe Arbëri 5 muaj më parë Mungojnë veprimet për integrimin e dy sistemeve paralele serbe

Imeri ka theksuar se as Qeveria e Kosovës nuk ka gatishmëri për draftimin e Asociacionit.

Ndërsa është shprehur se përderisa vazhdon kjo qasje në dialog nga ndërkombëtarët, “dialogu nuk do të përfundojë asnjëherë”.