Shtetet e Bashkuara të Amerikës druhen se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme zyrtare në vend të jetë euroja, mund të nxisë tensione të reja. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar dhe ka rezerva për implementimin e rregullores. Edhe Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësim dhe kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi.
Dorajet Imeri, profesor i shkencave politike, e sheh ironike që Kosovës t’i kërkohet të shtyjë vendimet që i merr një institucion i pavarur. Sipas tij, presioni ndërkombëtar mbi këtë vendim të BQK-së tregon kthim prapa.
“Është ironike sepse Kosova ende pa u bë shtet e ka larguar dinarin nga përdorimi, në mars 2002 UNMIK-u e ka filluar të aplikojnë vetëm një monedhë në Kosovë, ajo ka qenë euro, madje deri atëherë ka qenë marka. Vetë fakti që Kosova e ka heqë atëherë tregon për orientimet e qarta që ka pasur bashkësia ndërkombëtare dhe UNMIK-u në veçanti. 22 vite pas të diskutohet më tej a duhet të jetë dinari apo jo, më duket kthim prapa jo vetëm në kohë por edhe para statusit të Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Imeri ka theksuar se vendimi për valutën euro - rrjedhimisht që nënkupton ndalimin e dinarit - është vonuar sepse si i tillë parashihet në Kushtetutën e Kosovës.
Ai ka thënë se përmes këtij vendimi tani mund të shihet se si është keqpërdorur dinari deri tash dhe ndikimi që ka pasur Serbia përmes tij.
Edhe
SHBA-ja insiston në zbatim ndryshe të rregullores së BQK-së
“E kuptoj shqetësimin se mund të nxisë tensione, por është e nevojshme të shpjegohet si duhet pse ka ardhur deri te kjo situatë dhe pse është vonuar, pra mosrespektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës. Nëse i bëjmë presion Qeverisë, në fakt kemi humbur objektiva sepse Qeveria nuk ka asgjë të bëjë me këtë, por kemi të bëjmë me një institucion të pavarur. Konsideroj se prapa saj fshihet diçka tjetër. Arsyeja pse mund të kemi një zbulim të një keqpërdorimi flagrant që ka ndodhë përmes dinarëve, do të shfaqet në ditët në vijim. Kjo ka të bëjë me pastrimin e parave, evazionin fiskal që Vuçiqi e ka bërë përmes dinarëve”, është shprehur Imeri.
Imeri ka potencuar se bashkësia ndërkombëtare përveç shqetësimit që ka ngritur, duhet ta shtojë se po zbatohet ligji.
“E kuptoj shqetësimin e SHBA-së, por do doja vetëm një variant ta shtojmë aty. Qoftë ambasadori amerikan apo të tjerë, që të shtojnë përveç paqes dhe stabilitetit të shtojnë edhe ligjshmërinë për çka ata kanë dërguar një mision për zbatimin e ligjit në Kosovë”, është shprehur tutje ai.
Sipas Imerit, thirrjet e ndërkombëtarëve janë për të anashkaluar pengesat që mund të lindin për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
“Besoj që kjo është më shumë për të mos bërë asnjë zhurmë eventuale që do të mund t’i pengonte proceseve, por nuk po shoh që proceset po lëvizin. Po shoh se po konsolidohet njëfarë status quoje që vetë SHBA-së nuk i konvenon”, ka thënë ai.
E, sa i përket dialogut, Imeri ka thënë se emisarët e dërguar për këtë proces kanë dështuar dhe se arritja e marrëveshjeve është meritë e SHBA-së.
Edhe
Hovenier: Të ndryshohet mënyra e zbatimit të Rregullores së BQK-së
“Lajçakun dhe emisarët e tjerë i shoh të dështuar në këtë proces. Dikush mund të thotë se është arritur një marrëveshje ajo e Brukselit dhe Ohrit dhe ia atribuojnë atij, por nuk ka lidhje me të. Arritjet në dialog kanë ardhur për shkak të presionit amerikan dhe rrethanave të reja gjeostrategjike, por në asnjë mënyrë drejtpërdrejt meritë e një gjenialiteti negociues që ka mundur të ofrojë Lajçak”, ka përfunduar Imeri.