Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ilazi: Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë krijuar pa kritere

Kosova ka nevojë për institucione të arsimit të lartë, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të krijohen pa kritere, ka thënë Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën. Sipas saj, deri tash, shumë prej institucioneve janë krijuar pa i përmbushur ato.

Ilazi ka thënë se në krijimin e institucioneve të arsimit të lartë ka pasur kaos edhe në aspektin e programeve të tyre.

“Kosova e ka një popullatë të re dhe ka nevojë më tepër për institucione të arsimit të lartë, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të krijohen pa një kriter, dhe kriteri deri tash ka qenë pa kriter. Jo vetëm për numrin e institucioneve sa janë hapur dhe për çfarë arsye janë hapur, dhe sa kanë qenë në gjendje ta arsyetojnë ekzistencën e tyre, por po ashtu ka qenë një far kaosi total edhe në kuptimin e asaj se sa programe bëjnë përpjekje këto institucionet t’i zhvillojnë, t’i hapin apo të aplikojnë për akreditime. Kemi pasur rast që një kolegj privat ka ardhur me kërkesën e akreditimit të 40 programeve. Kjo është diçka e pamundur, nuk ka kufizim që mundet ta parandalojë këtë, por e dimë apriori që nuk mund të jenë të gjitha në nivelin e duhur”, ka thënë Ilazi.

Sipas saj, profilet në institucionet e arsimit të lartë duhet të lidhen me profilet që janë më të kërkuara në nivelin global.

“Ekziston përpjekja që edhe programet të hapen sipas asaj se ku shohim se ka më tepër interesim për studim e që ndonjëherë as vetë kandidatët për studentë nuk e kanë të qartë se pse i zgjedhin ato profile”, ka thënë Ilazi.