Njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë priten me vëmendje në çdo mbrëmje nga qytetarët e vendit. Por IKSHPK-ja të premten ka lëshuar një komunikatë që nuk ka të bëjë vetëm me gjendjen aktuale me koronavirus.
IKSHPK-ja ka shënuar 95-vjetorin e ditës që shënon fillimin e veprimtarisë së shëndetit publik në Kosovë.
“Kur i kishim nisur përgatitjet për shënimin e këtij përvjetori qysh vitin e kaluar, nuk e kishim menduar se ky përvjetor do të na gjejë në vlugun e përballjes me pandeminë COVID-19, që ka goditur gjithë globin. Por, gjithsesi kishim qenë në gjendje gatishmërie për t’u përballur me çdo kërcënim e shpërthim edhe të kësaj natyre. IKSHPK-ja veprimtarinë e vet e zhvillon duke qenë përherë në funksion të mbrojtjes dhe përmirësimit të shëndetit të popullatës”, thuhet në komunikatë të institucionit që është vlerësuar për përballjen me pandeminë.
Instituti ka shkruar se është pararojë e shëndetit të popullatës sot, siç ishte dje dhe do të jetë edhe nesër.
Fillet e veprimtarisë së mjekësisë preventive në Kosovë janë në Pejë. Amerikanët kishin kontribuuar në themelimin e shërbimit të parë mjekësor.
Edhe
IKSHPK-ja shënon javën e imunizimit
“Në kuadër të adresimit të problemeve shëndetësore dhe të përkujdesjes amerikane ndaj popullatës së këtij rajoni të Evropës, Fondacioni i shquar humanitar nga SHBA ‘Rockfeller’ do të mbështesë themelimin e Shërbimit Higjieniko-Epidemiologjik edhe në Pejë. Ky shërbim do të fillojë punën më 5 qershor të vitit 1925 dhe kjo datë konsiderohet se shënon fillet e veprimtarisë së Mjekësisë Preventive në Kosovë, prandaj edhe shënohet si ditë festive e themelimit të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës”.
Prej atëherë popullata në Kosovë ka kaluar periudha të rënda dhe rrethana shëndetësore shumë të vështira. Por përpjekjet për mbrojtje dhe përmirësim të shëndetit të popullatës nga ana e mjekëve dhe punëtorëve mjekësorë nuk janë ndalur asnjëherë.
“Kujtojmë periudhën e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX dhe Kosovën e shkatërruar tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore, me kushte jetese katastrofike kur shërbimet shëndetësore nuk funksiononin pothuajse fare e nga ana tjetër sëmundjet ngjitëse bënin kërdi”, shkruan në njoftimin e IKSHPK-së.
Në vitin 1948 ka nisur një tjetër etapë e rëndësishme për shëndetin publik në Kosovë. U themelua Enti për Mbrojtje Shëndetësore në Kosovë, që u zgjerua në rrjet me qendrat në Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj.
Hap i madh ishte bërë në vitin 1969 me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë.
“Me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë do të ngriten kapacitetet profesionale të fushës së shëndetësisë dhe do të trajnohen profesionistë të fushës së shëndetësisë publike që do të mbështesin punën në zhvillimin e rrjetit të institucioneve të shëndetit publik dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë”.
IKSHPK-ja ka përkujtuar me respekt dhe pietet të lartë punën dhe veprën e disa mjekëve që më nuk jetojnë si Durmish Celina, Osman Imami, Ilmi Bërveniku e të tjerë.
Edhe
IKSHPK-ja sërish bën thirrje për respektim të masave anti-COVID
Sistemi shëndetësor në vend është shkatërruar shumë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, sidomos gjatë luftës. Më pas vjen periudha e riorganizimit. IKSHPK-ja ka cekur disa prej funksioneve që kryen tashmë.
“Duke pasur parasysh të gjitha të arriturat, sukseset e në veçanti sfidat e mëtejme që kemi përpara, konstatimi ynë i përbashkët në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike do të ishte i shkurtër: Të shfrytëzohen të gjitha resurset dhe të gjitha të arriturat shkencore në mbrojtje të shëndetit të popullatës dhe t’i jepet prioritet shendetësisë si dega më rentabile e ekonomisë. Sepse jeta e njeriut nuk ka çmim, por ka vlerë. Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës me veprimtarinë e vet mund të konsiderohet pa modesti si një pikë e ndritshme e shëndetësisë kosovare, në këtë ditë solemne theksojmë edhe njëherë se mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës”, thuhet në njoftim.