Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKD: Specialja ka treguar mosefikasitet në misionin e saj

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar të martën raportin nga monitorimi i punës së Gjykatës Speciale, ku sipas kësaj organizate, kjo gjykatë ka treguar mosefikasitet në kryerjen e misionit të saj.

Në raportin e IKD-së thuhet se në krahasimin e bërë mes Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vihet re një disproporcion i madh kohor i ndërmarrjes së veprimeve nga këto dy institucione.

“Përderisa në të parën vetëm një vit pas themelimit është ngritur aktakuza e parë, ZPS-së i janë dashur pothuajse pesë vjet nga themelimi që të ngritë aktakuzat e para pa i numëruar këtu edhe kohën nga krijimi i Task Forcës Hetimore speciale që kishte funksionuar brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës nga vitit 2011. Derisa në Gjykatën Speciale gjykimi i parë ka filluar tek më 15 shtator 2022, 6 vjet pas themelimit, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi nga viti 1996 deri në vitin 2004, pra për një periudhe kohore prej tetë vjetësh kanë përfunduar në shkallë të parë tetë raste”, thuhet ndër të tjera në raportin e publikuar nga IKD në një konferencë për media.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po mbahen në paraburgim disa prej ish-krerëve të UÇK-së, ndërkohë dy ish-udhëheqësit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim për “pengim të drejtësisë”.

Artikuj të ngjashëm