Gzim Shala, hulutmues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se një numër i madh i zyrtarëve janë dënuar për vepër penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë. Sipas tij, megjithatë, edhe në kohën kur ligji është zbatuar në mënyrë të drejtë, duke u konstatuar përgjegjësia penale te të njëjtit, kjo vepër penale për nga dënueshmëria është trajtuar si kundërvajtje.
IKD ka publikuar raportin “Deklarimi i pasurisë - Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”, ku thuhet se fillimisht, deklarimi i pasurisë ka qenë i rregulluar me Ligjin kundër Korrupsionit dhe shkelja e këtij obligimi sanksionohej me kërkesën për ndaljen e 1/5 të pagës deri në paraqitjen e deklarimit dhe në rastet kur kjo nuk realizohej deri në tre muaj, Agjencia kundër Korrupsionit kërkonte fillimin e procedurave për shkarkim nga institucioni kompetent.
“Në raport, IKD gjente se në 57% të aktgjykimeve dënuese Gjykatat kishin shqiptuar dënim me gjobë, derisa në 43% të rasteve të tjera ishte shqiptuar dënim me kusht dhe dënim me gjobë. Kështu, përkundër inkriminimit, raporti gjente se gjykatat nuk kishin shqiptuar dënim me burgim efektiv për vepër penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë”, ka thënë Shala gjatë prezantimit të raportit.
Sipas tij, krahas problematikës së tanishme të krijuar nga aktgjykimi i Gjykatës Supreme, edhe në të kaluarën, siç tha ai, IKD ka gjetur se gjykatat e kanë trajtuar këtë vepër penale sikurse “kundërvajtje”, në kuptim të politikës ndëshkimore që kanë ndjekur.
Sipas raportit, më 2010 Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë ligjin e veçantë për rregullimin e çështjes së deklarimit të pasurisë. Përmes këtij ligji, numri i zyrtarëve të lartë publik që kanë për obligim deklarimin e pasurisë ishte dyfishuar dhe mosdeklarimi ishte kategorizuar si kundërvajtje, e sanksionuar me gjobë prej 300 deri në 1.500 euro.
Shala theksoi se në vitin 2011 u paraqit nevoja për rritjen e numrit të zyrtarëve të lartë publikë dhe sanksionimin për mosdeklarimin e pasurisë, andaj edhe u miratua Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, me anë të cilit mosdeklarimi i pasurisë dënohej nga 1000 deri në 2500 euro.
Ky ligj, do ndryshohej edhe në maj të vitit 2014.
Ai theksoi se me qëllim të parandalimit të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike, u miratua Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, i cili hyri në fuqi në vitin 2023.
Me këtë ligj, janë përcaktuar subjektet deklaruese, llojet e deklarimit të pasurisë, afatet etj. Po ashtu, ky ligj parasheh edhe sanksione. Me rastin e dështimit për të bërë deklarimin e pasurisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është kompetente të shqiptojë masë ndëshkimore deri në 500 euro. Nëse deklarimi nuk bëhej as 15 ditë pas përfundimit të afatit ligjor, parashihej që Agjencia të paraqesë kallëzim penal tek prokuroria përkatëse.
Në anën tjetër, Ligji për Deklarimin e Pasurisë, i miratuar në vitin 2011, përcaktonte se “Kushdo që shkelë detyrimet e përcaktuara me këtë ligj, që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë publik bënë kundërvajtje dhe dënohet…..”.
Kështu, në këtë kohë, mosdeklarimi i pasurisë përbënte vetëm kundërvajtje, pasi Kodi Penal në fuqi asokohe, nuk e kishte inkriminuar deklarimin e pasurisë si vepër penale. Por, më 1 janar 2013 hynë në fuqi Kodi Nr. 04/L-082 Penal i Republikës së Kosovës. Neni 437 i këtij neni e kriminalizoi mosraportimin e pasurisë apo raportimin e rrejshëm të pasurisë.
Sipas raportit të IKD-së, me qëllim të harmonizimit të ligjeve, Ligji për Deklarimin e Pasurisë i vitit 2011 u plotësua dhe ndryshua në maj të vitit 2014. Neni 17 i këtij ligji u riformulua. Për dallim nga ligji i vitit 2011, tanimë fokusohej në diçka tjetër: inicimin e kallëzimeve penale në Prokurori në rast të mosdeklarimit të pasurisë. Kjo pasi tanimë, për dallim nga e kaluara, mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë u kriminalizua si vepër penale.
Në prill të vitit 2019, hyri në fuqi Kodi i ri Penal, përkatësisht Kodit Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës. Raporti thotë se edhe ky Kod, e mbajti të kriminalizuar mosraportimin apo raportimin e rremë të pasurisë.
Kurse, tutje specifikohet se “çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.
“Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryerësi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit. 3. Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet Kështu, mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë mbeti përsëri vepër penale, megjithëse në figurën e veprës penale u bënë disa ndryshime”, thekson raporti i IKD-së.
Kështu, mosraportimi i pasurisë, që dënohej me gjobë dhe me burgim, tani dënohet me gjobë ose me burgim. Sa i përket raportimit të rremë, raporti thekson se krahas ndryshimit të disa elementeve, u shtua mundësia që gjobat të jenë ditore derisa kryerësi ta përfill urdhrin. Riformulim pati edhe në raport me paragrafin 3. Përderisa ligji paraprak theksonte se duhet të konfiskohet vlera e padeklaruar e pasurisë, e përfituar në mënyrë jo ligjore, Kodi i ri nuk e kërkon “paligjshmërinë”, duke urdhëruar thjesht konfiskimin e vlerës së padeklaruar ose të deklaruar rrejshëm. / BetimipërDrejtësi