Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj gjuhës së zyrtarëve qeveritarë për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, duke thënë se deklaratat e disa prej tyre janë ndërhyrje dhe cenim i pavarësisë së këtij sistemi.
Reagimi i IKD-së vjen pak ditë pas një postimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Facebook, përmes të cilit pyet se kush udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit.
“Kuptimi i urgjencës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës. Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë. Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë. Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh”, ka shkruar Kurti të enjten.
Ndërkaq IKD-ja ka thënë se deklarimet e tilla qartazi paraqesin ndërhyrje në sistem gjyqësor.
“Akterët qeveritarë përmes deklaratave publike janë duke kritikuar gjyqësorin për qasje selektive në trajtimin e lëndëve, derisa publikisht kërkohet llogari dhe dorëheqje të akterëve të caktuar brenda sistemit prokurorial. Deklarimet e kësaj natyre të akterëve qeveritarë ndaj gjyqësorit qartazi paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Fillimisht, IKD thekson faktin se shqetësimet e ngritura lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë nga krerët qeveritarë janë theksuar vazhdimisht nga IKD, shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare”, ka thënë IKD-ja.
Sipas tij, Qeveria s’ka asnjë kompetencë për të kërkuar llogari nga gjyqësori.
Edhe
Kritikat e Kurtit kualifikohen ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë
“Siç është theksuar nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, kundërshtimet e shprehura nga akterët politikë nxisin diskurse toksike të diskutimit ndaj gjyqësorit. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut “...në demokraci, qeveritë e zgjedhura nuk kanë monopolin e legjitimitetit. Ata e ndajnë atë me gjyqësorin, i cili për të përmbushur mandatin e tij si garantues i të drejtave të njeriut, duhet të mbetet indiferent ndaj ndryshimit të pushtetit”. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2021 nënvizon se “Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i rrezikuar nga ndikimi i tepërt politik”. Nënvizime të tilla në raport me sistemin kosovar të drejtësisë rrezikojnë të përsëriten edhe në raportet pasuese, nëse akterët qeveritarë nuk përmbahen nga një gjuhë e tillë”, thuhet më tej në reagim.