Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë, të cilën ai e udhëhiqte, raporton KTV.
Gjithashtu, Mustafa ka përmendur edhe iftaret e presidentit me mësimdhënësit e veteranët, në kohën e fushatës, që sipas tij, ishin fushatë në mbulesë.
Megjithëse ishte paralajmëruar gjatë fushatës se kjo praktikë e presidentit Thaçi do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese, deri tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, pasi që, sipas gazetarit Besnik Krasniqit, është vështirë të argumentohet shkelja e kushtetutës në këtë rast.
Sipas Krasniqit presidenti Thaçi ka gjasë të veprojë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit në një rast tjetër.
Nëse koalicioni që doli i pari në zgjedhje nuk arrin numrat për formimin e qeverisë, Presidenti, herën e dytë, mandatin për formimin e qeverisë duhet t’ia kalojë subjektit që i ka mundësitë për ta bërë atë, bazuar në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese.