Ish - deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi, ka thënë se gjendja në Mitrovicë nuk është e mirë. Ajo të hënën në emisionin “60 minuta” të KTV-së, ka theksuar se deklarata e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për veriun e Kosovës, nuk janë për të mos u marr seriozisht.
Ajo ka kujtuar se në Mitrovicë në vitin 2000, janë vrarë shqiptarë në prezencë të forcave paqeruajtëse.
“Mbrëmë me ato deklarata të rënda që i pat Vuçiqi, në veri nuk është se i marrim vetëm hajt se po fol, edhe përpara i kanë thënë të tilla, edhe i kanë bërë, mos ta harrojmë që pas luftës atje janë vrarë njerëz”, ka theksuar Idrizi.
Vuçiqi të dielën në mbrëmje në një konferencë për media, ka thënë se serbët në Kosovë po i pret një natë e vështirë. Ai gjithashtu ka theksuar se ka disponim të njerëzve në Serbi, “për ta mbrojtur vendin”.
Idrizi ka theksuar se nuk duhet harruar që bëhet fjalë për jetë njerëzish që jetojnë në Mitrovicë të Veriut dhe kanë qëndruar atje përkundër sfidave.
Edhe
Kurti kujton masakrën e shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë: Populli i Kosovës nuk harron asgjë dhe askë
“Po flasim për njerëz që për më shumë se dy dekada janë atje dhe janë lodhur, jo rrallë herë i kam quajtur heronjtë e patriotë, sepse përkundër sfidave dhe strategjive të Beogradit zyrtar për spastrim etnik të veriut, ata kanë qëndruar, ani pse nuk e kanë pasur përkrahjen institucionale çfarë është dashur ta kenë”, ka theksuar Idrizi.
Ajo ka deklaruar se pas tensioneve në veri, shumë persona janë zhvendosur në jug. “Ka pasur zhvendosje, i kemi parë disa që kanë dal edhe në media, kanë treguar që janë detyruar që pjesën më të madhe të familjes, fëmijët, të moshuarit, që t’i sjellin në jug. Kështu ka ndodhur edhe me familjen time”, ka thënë Idrizi, duke shtuar se banorëve atje, përkundër frikës, prezenca e Policisë ju ka dhënë një shpresë më të madhe dhe një siguri.
Sipas saj institucionet e Kosovës duhet të ndajnë buxhet për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri. “Ajo që mund të behët është që të ndajnë buxhet për veriun, pse të mos i ndihmojnë ata që nuk kanë mundësi t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre, nuk po flas për sot, sepse sot në këtë situatë të tensionuar, nuk mund të ndërtosh”, ka theksuar Idrizi, e cila është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Ka përmendur në këtë kontekst faktin që Serbia ka financuar ndërtimin e shtëpive e banesave për serbët në veri. “Shteti serb, Serbia i ka nderuar ato, do të thotë ka qenë strategji e tyre që ta mbipopullojnë veriun me komunitet serb, edhe ta frikësojnë komunitetin shqiptarë të ikë. Ky është spastrim etnik direkt, popullata që qëndron atje duhet të mbështetet”, ka theksuar Idrizi.
Edhe
Osmani për masakrën e 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë: Drejtësia mbetet kërkesë e pandalshme
Ajo ka deklaruar se nuk janë kundër shtrirjes së sovranitetit në veri. Por sipas saj, Qeveria s’mund të marrë një vendim, kur nuk është në gjendje ta zbatojë deri në fund. “Shtrirja e sovranitetit atje nuk është e lehtë, s’mund ta shtrish sovranitetin me shkop magjik”, ka theksuar Idrizi.
Ajo ka theksuar komuna e Mitrovicës është komuna më e varfër dhe e cila ka numrin më të madh të familjeve në asistencë sociale. Sipas saj Qeveria e Kosovës ka injoruar investimet në veri. Në këtë kontekst ka përmendur projektin për Studionin e qytetit “Adem Jashari”, për të cilin ka thënë se përgjegjëse është vetëm Ministria e Kulturës.