Arbëri

Identifikohen mangësitë në sektorin e mjedisit në Komunën e Prizrenit

Burimet njerëzore dhe ato financiare nuk janë të niveli të mjaftueshëm për ti adresuar sfidat mjedisore në Komunën e Prizrenit, kanë bërë të ditur të mërkurën monitoruesit nga radhët e OJQ-së “EC Ma Ndryshe”. Gjatë publikimit të Raportit të monitorimit të sektorit të mjedisit në Komunën e Prizrenit ata kanë pohuar se në këtë dokument janë identifikuar mangësitë në sektorin e mjedisit për vitin 2020, që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga autoritetet komunale, me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit dhe menaxhimit mjedisor.

Kaltrina Kolukaj nga EC Ma Ndryshe ka theksuar se metodologjia e ndjekur për përpilimin e këtij raporti merr në konsideratë 12 ligje që adresojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit. Sipas saj, hulumtimi mbulon aspektet kryesore që adresohen nga legjislacioni në fuqi, si: Skema institucionale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor; Korniza ligjore; Hartimi, harmonizimi dhe zbatimi i dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit; Mbikëqyrja inspektive dhe raportimi mjedisor; Krijimi, grumbullimi, menaxhimi i të dhënave dhe sistemit të menaxhimit të dhënave; Bashkëpunimi, koordinimi dhe pjesëmarrja publike, dhe Licencimi dhe lejet mjedisore. Sipas saj kjo metodologji e monitorimit do të shtrohet edhe në komunat tjera si dhe në nivelin qendror.

Ndërsa Nora Simitçiu, ekologe nga kjo organizatë ka theksuar se Komuna e Prizrenit ka krijuar organ përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit, por se kapacitetet njerëzore brenda këtij organi janë të pamjaftueshme si në aspektin kuantitativ ashtu edhe në atë profesional, ndërkohë që nuk ka pasur as aktivitete për fuqizimin e tyre në raport me kornizën aktuale ligjore. Po ashtu ka shtuar se në periudhën raportuese nuk është organizuar asnjë trajnim rreth çështjeve mjedisore për stafin e Sektorit të Mjedisit dhe Menaxhimit të Mbeturinave (SMMM).

“Njohuritë e stafit komunal rreth kornizës mjedisore nuk janë të nivelit më të lartë, derisa përcaktimi i sfidave me të cilat ata ballafaqohen si rrjedhojë e mangësive ligjore në fushën e mjedisit ka qenë i pamundur për shkak të mos listimit të tyre nga punonjësit e SMMM”, ka thënë ajo.

Sipas saj ka nevojë për përmirësime edhe në aspektin e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për mjedisin.

“Shkalla e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor mbetet problematik, për faktin se nuk ka organizim të mirëfilltë në këtë aspekt; përkatësisht, rrjedha aktuale e hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit aktualisht e bën të vështirë matjen e efikasitetit të këtyre veprimeve në përmirësimin e gjendjes mjedisore”, ka deklaruar Simitçiu.

Tutje ka shpjeguar se niveli i inspektimit si dhe hartimi i raporteve përkatëse lidhur me zbatimin e kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit dhe të zbatimit të strategjive mjedisore mbetet i paqartë për shkak të mos shpalosjes së të dhënave në këtë drejtim, derisa në tregues të caktuar nuk ka as monitorim.

“Po ashtu janë evidentuar edhe dilemat rreth përgjegjësive, sa i përket monitorimit të gjendjes së zonave të mbrojtura. Sektori i Mjedisit në Komunën e Prizrenit ende nuk ka ndërtuar sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore, për shkak të mungesës së resurseve teknike dhe njerëzore për krijimin, grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave mjedisore”, është shprehur ajo.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në hartimin e politikave publike sipas saj është i pamjaftueshëm. “Në fund të vitit 2020, DSHP ka filluar praktikën e takimeve me aktivistët e shoqërisë civile, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për një bashkëpunim më efektiv në mes të Komunës dhe OJQ-ve që veprojnë në fushën e mjedisit. Por bashkëpunimi me shoqërinë civile në hartimin e politikave lokale mbetet i pamjaftueshëm, ashtu sikurse edhe pjesëmarrja e publikut në hartimin strategjive lokale”, ka thënë Simitçiu.

Kjo ekologe ka shtuar se nuk ka saktësi as sa i përket numrit të licencave dhe lejeve mjedisore aktive, sipas aspekteve mjedisore të përcaktuara me kornizën ligjore.

“Në fund të raportit janë adresuar edhe disa rekomandime me qëllim të përmirësimeve dhe plotësimeve në proceset e planifikimit dhe menaxhimit mjedisor, drejt arritjes së rezultateve më të qëndrueshme në sektorin e mjedisit dhe mbrojtjen e resurseve natyrore”, ka përfunduar ajo.