Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se numri i të infektuarve me koronavirusin e ri ka pësuar rënie në nivelin lokal. Ai ka thënë se komiteti antiCOVID ka konstatuar se numri i të infektuarve ka rënë për 10 deri 30 për qind.
“Numri i të infektuarve me COVID-19 është në rënie e sipër. Është konstatuar që në nivelin lokal kjo përqindje është prej 10 deri 30 për qind, varësisht prej komunave. Por shihet që në komunat e mëdha niveli apo përqindja e të infektuarve në raport me komunat e mesme apo të vogla është pak më i ngritur. Por situata në nivel lokal është e menaxhueshme. Këtë e kanë konstatuar edhe kryetarë te komunave, por edhe drejtorët komunalë të shëndetësisë, të cilët kanë punuar shumë që të mos ngarkojnë qendrën kryesore spitalore”, ka thënë Ibrahimi për KSP.
Ibrahimi ka treguar se është diskutuar për lehtësim të masave, por meqë më 14 shtator pritet fillimi i vitit të ri shkollor, komiteti antiCOVID ka vendosur që masat tani për tani të mos lehtësohen. Megjithatë ai tregon se pas dy apo tri javëve do të rishikohen këto masa.
Ndër tjera, ai tregon se komunat janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor. Nëse një shkollë në një komunë të caktuar nuk i plotëson kriteret, Ibrahimi thotë se nuk do të bllokohet mësimi në tërë territorin.
Ai ka folur edhe për testim të mësimdhënësve, derisa shton se ky proces është kryer në Prizren dhe po vazhdon në Dragash, Istog, Pejë e Ferizaj.
“Është konstatuar që do të jetë një mostër nga 1000 deri në 1500 mësimdhënës në tërë territorin e Kosovës, duke e ndarë në kuptimin si shtatë rajone. Nga dy në tri komuna në një rajon do të testohen. Listat do të dërgohen nga Drejtoria e Arsimit. Varësisht nga madhësia e komunës, nga 50 deri në 80 apo 100 mësimdhënës do të testohen. Dhe në përgjithësi do të testohen rreth 1500 nga mbi 20 mijë mësimdhënës në Kosovë, në mënyrë që të gjendet një përqindje se sa mund të jetë numri i mësimdhënësve të infektuarve”, shprehet Ibrahimi.
Sazan Ibrahimi njofton se testimi për COVID-19 do të bëhet në 15 komuna. Ndër tjera, ai thotë se ka gatishmëri të disa komunave për testime serologjike, sipas tij niveli qendror ka shprehur gatishmëri për përkrahjen e komunave që të ofrojë disa testime falas.
“Disa nga komunat janë të gatshme, mirëpo kanë hasur në procese burokratike sa i përket marrjes dhe blerjes së testeve serologjike nga ofruesit e testeve serologjike. Besoj që shumë shpejt ato komuna, të cilat kanë shprehur gatishmëri dhe kanë mjete financiare do të fillojnë me testime serologjike”, tha ai.