Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ibrahimi: Ka pakënaqësi të komunave për organizimin e ndërmarrjeve rajonale

Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat kanë pakënaqësi sa i përket organizimit të ndërmarrjeve rajonale.

Në “DESKU” të KTV-së, Ibrahimi ka deklaruar se amandamentimi i Ligjit për ndërmarrje komunale mundësonte që komunave t’u lihej në dorë që t’i ndanin asetet e këtyre ndërmarrjeve, mirëpo sipas tij, ky proces tash është ndërprerë.

“Kemi pakënaqësi të komunave sa i përket këtij organizimi. Kur filluam amandamentimin e Ligjit për ndërmarrje publike, Asociacionit iu la në dorë sa i përket kapitullit për komunat dhe kompetencat komunale, dhe atëkohë vendosëm që komunat t’i ndajnë astetet e këtyre ndërmarrjeve dhe pastaj t’u lihet në vullnet të Kuvendeve Komunale, që të vendosin që a duhet të ketë ndërmarrje komunale 100% apo të ketë bashkëpunim ndërkomunal. Mirëpo tash ky proces është ndërprerë”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se ka iniciativa të mira të bashkëpunimit ndërkomunal, por që mungojnë financimet.

Ndërkohë, në bazë të një hulumtimi të kryer nga Asociacioni i komunave lidhur me bashkëpunimit ndërkomunal, ka rezultuar që ky proces është në një fazë të re.

“Bashkëpunimi ndërkomunal duhet të bëhet në bazë të vullnetit të mirë të dy apo tri palëve. Bashkëpunimi ndërkomunal siç është një traditë në Kosovë, kur ka qenë UNMIK-u këtu, ka qenë se ka imponuar atë përmes krijimit të ndërmarrjeve rajonale. Ne kemi kërkuar që Ligji mbi ndërmarrjet publike të amandamentohet në mënyrë që komunave tu lihet në dispozicion të vullnetit të tyre të vendosin për fatin e ndërmarrjeve, dhe nëse ato duan të kenë ndërmarrje të përbashkëta lokale atëherë mund t’i krijojnë, ta zgjedhin Bordin e përbashkët, të ndajnë financa, por jo ato të imponohen pasi tek çështja e menaxhimit të mbeturinave ka pasur reagim nga kryetarët e komunave ku kanë kërkuar që këto ndërmarrje të themelohen nga vetë komunat”, ka thënë Ibrahimi.