Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

I mbijetuari i masakrës së Mejës: Krimet më të mëdha janë bërë nga serbët vendas

I mbijetuari i Masakrës së Mejës, Lush Krasniqi, ka deklaruar se krimet më të mëdha gjatë luftës së fundit në Kosovë janë bërë nga serbët vendas.

I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, ku ka rrëfyer për përjetimet e tij gjatë 27 dhe 28 prillit, Krasniqi ka thënë se atij i janë vrarë dy vëllezërit dhe xhaxhai i tij, që gjatë përndjekjes janë zënë pengje nga forcat serbe në rrugë. Ai më tej ka njoftuar se gjatë asaj kohe, janë përndjekur rreth 10 mijë banorë nga tri komuna, përfshirë 27 fshatra.

“Operacioni është quajtur ‘Patkoi’. Që do të thotë se ka qenë e rrethuar në të tria anët dhe dalja ka qenë në një vend ku aty ishin kriminelët më famëkeq që të përndjekurit në kolonë, në ikje, i kanë ndarë, i kanë pushkatuar e maltretuar në forma të ndryshme. Masakra e Mejës i përfshin tri komuna me rreth 27 fshatra. Mendohet se atë ditë janë përndjekur për rreth 10 mijë banorë. Rreth orës 19:00 na kanë rrethuar dhe jemi detyruar të bëhemi robër të tyre e gjithë familja, diku rreth 50 anëtarë të familjes. Ata kanë qenë polici ushtarake të armatosur me armë të këmbësorisë, pa armë artilerie dhe pa makineri. Ishin futur nëpër male dhe ishte qëllimi që të pastrohej terreni nga çdo element. Kur na ndanë familjet, nënat, fëmijët gratë, ishin diku në largësi 2 metra, neve na ndanë në një kodër, ishim rreth 15 persona. Komandanti ose udhëheqësi i atij grupi ishte i nivelit të mesëm hierarkik dhe e fliste edhe gjuhën shqipe. E ka nxjerrë një M5 dhe na ka shënuar emrat ne meshkujve. Pyeti në gjuhën serbe se kush është më i madhi në familje. Xhaxhai im Pjetri u deklarua. E nxorën edhe vëllain tim që ka jetuar në qytet dhe njihej pasi ishte rapsod. Pastaj prapë shikoi dhe i tha vëllait tim të tretë, Markut, të dalë edhe ai. I veçoi të tre në një anë dhe na dha urdhër që të gjithë si jemi të shkojmë të paraqitemi te njësiti në fshatin Korenicë për rreth 5 kilometra, dhe e përsëriti që nëse dikush nga ju do të futet në pyll, këta do të jenë të pushkatuar”, ka rrëfyer ai.

Duke treguar për përjetimet gjatë rrugës, Krasniqi ka thënë se ka parë njerëz të shtrirë me fytyrë në tokë dhe me duar pas koke, të cilët ishin bllokuar por ishin ende të gjallë.

“Rrugës kam parë njerëz të shtrirë me fytyrë për toke, me duar pas koke. Nuk mendoj se kanë qenë të vrarë por të bllokuar. Diku rreth 7-8 njerëz, civilë. Kemi vazhduar rrugën. Mua personalisht më mungonte babai, dy vëllezërit dhe xhaxhai. Familjes Nikaj që ishim në traktorët e tyre i mungonin rreth 15 anëtarë. Aty ka humbur lidhja pasi nuk e dinim nëse ishin gjallë. Fqinjët tanë kishin shtëpi të vëllezërve të tyre në Piskotë. Synonin që të shkojnë atje. Kishte mendime të ndryshme se çfarë të bënim. Kemi rënë trup qytetit me traktorë. Kemi shkuar në shtëpitë e fqinjëve tanë, ishte zonë shumë e keqe pasi në Piskotë ka pasur shumë serbë. Krimet më të mëdha i kanë bërë serbët vendas. Ushtarakët atë natë kanë fjetur në shtëpitë tona. Të nesërmen kanë dhënë urdhër për t’i djegur shtëpitë”, ka thënë ai.

Edhe Banorë të Krushës jetojnë me pengun për të pagjeturit Arbëri Banorë të Krushës jetojnë me pengun për të pagjeturit

Pas pushkatimit të familjarëve të ngushtë, Krasniqi ka thënë se trupat e tyre janë dërguar në Batajnicë.

“Vëllezërit dhe xhaxhain i kanë pushkatuar. Trupat janë dërguar në Batajnicë. Një këpucë e axhës është gjetur në Korenicë, një tjetër në Batajnicë”, ka deklaruar ai.

Pas përfundimit të luftës, ai njoftoi se është formuar shoqata e 27 prillit me të njëjtin emër, ku kanë filluar të kërkojnë për fatin e familjarëve të tyre.

“Deri në vitin 2003, për afër 400 njerëz nuk ka pasur asnjë burim të informacionit se çfarë ka ndodhur me ta. Në zhvarrimet që janë bërë në Batajnicë në vitin 2001 me misionet ndërkombëtare gjendet një letërnjoftim i një bashkëfshatari. Ajo doli në gazetë. Bënim shumë greva urie, protesta dhe në një fjalim në qytet e dhashë atë emër që më në fund një letërnjoftim i një personi të zhdukur u gjet në Beograd. Gruaja e tij më pyeti pse po them ashtu dhe iu përgjigja që dikur do të më thotë që ka fat që e ka gjetur letërnjoftimin e tij. Në vitin 2003 më 29 maj e kemi varrosur kontingjentin e parë për 29 të identifikuar që janë gjetur në varrezat masive të Batajnicës që i kanë takuar Mejës”, ka theksuar ai.

Edhe Masakra e Mejës: Familjarët presin drejtësi, liderët pranojnë se s’është bërë mjaftueshëm Arbëri Masakra e Mejës: Familjarët presin drejtësi, liderët pranojnë se s’është bërë mjaftueshëm

Krasniqi më tej ka thënë se familjarët e të pagjeturve në Kosovë duhet të jenë të përgatitur që një pjesë e tyre nuk do të gjenden asnjëherë.

“Nuk është fenomeni i zhdukjes vetëm në luftën e fundit. E kemi rastin kur kemi shpresë që Amerika do t’i gjejë, por Amerika nuk i ka gjetur të vetët në Vietnam”, tha ai.