Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

I akuzuari për aksidentin fatal të Koshares deklarohet i pafajshëm

I akuzuari E.M. është deklaruar i pafajshëm për aksidentin e qershorit të këtij viti në Koshare të Ferizajt, ku vdiqën pesë persona.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të trafikut publik” për aksidentin e ndodhur pasditen e 6 qershorit në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime. E.M. akuzohet se duke mos përshtatur shpejtësinë dhe duke mos respektuar rregullat e komunikacionit, ka tejkaluar në vijë të plotë dhe e ka goditur veturën që po lëvizte në drejtimin e kundërt. Aksidenti ua mori jetën katër personave në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër vdiq më vonë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Janë lënduar edhe dy persona tjerë.

Nga ajo ditë e deri më 25 shtator, i akuzuari qëndroi në paraburgim, ndërsa nga 25 shtatori e deri më 25 tetor i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Për këtë ka pasur edhe protesta të qytetarëve.

Prokurori i rastit në këtë fazë ka propozuar që të zbatohet masa e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar propozimin.

Për propozimin për paraburgim do të vendoset me aktvendim të veçantë, sipas gjyqtares së çështjes. Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar./BetimipërDrejtësi