Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka deklaruar se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës nuk është çështje që duhet trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, por një krizë politike që kërkon zgjidhje përmes kompromisit ndërpartiak.
Të enjten, deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as pas 41 herëve.
“Çdo çështje mund të dërgohet në Kushtetuese, por a i bën mirë kjo demokracisë? Demokracia nuk gjykatizohet. Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i imponojë zgjidhje 120 përfaqësuesve të popullit. Kjo nuk ndodh askund në Evropë”, ka thënë Hyseni në “60 Minuta”, tek ka komentuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe kontestimet që ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sërish në Kushtetuese sot.
Hyseni thekson se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos pranojë të trajtojë kërkesa që nuk kanë objekt kushtetues të qartë.
“Nuk është çështje për Kushtetutën, është çështje politike”, u shpreh ai, duke shtuar se interpretimet kushtetuese janë ekskluzive të Kushtetueses dhe nuk mund të ketë “interpretime të interpretimeve” nga deputetët.
Sipas tij, edhe pse Gjykata Kushtetuese mund të japë vendime, zbatimi i tyre varet nga vullneti i grupeve parlamentare.
“Nëse LVV-ja do të ishte konstruktive, do t’i thërriste partitë parlamentare për të gjetur një zgjidhje. Nuk zgjidhen këto çështje me thirrje publike”, përfundoi Hyseni.
Ai shton se opozita po i përdor mekanizmat institucionalë dhe demokratikë për të bllokuar procesin parlamentar, por kjo nuk e bën situatën një çështje kushtetuese. Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë nga vullneti politik dhe dialogu ndërmjet partive.
“Është një lloj sjelljeje politike e paparë ndonjëherë. Një hakmarrje politike e tri partive të tjera kundër LVV-së, për shkak të gjuhës së përdorur nga LVV-ja në fushatë – gjuhë që po ashtu ka qenë e paparë ndonjëherë”, ka thënë Hyseni.