Ish-diplomati Ylber Hysa ka thënë se neni 7 në Planin evropian, është neni më i diskutueshëm, më kontradiktor dhe më kompleks nga të gjitha nenet, pasi siç thotë ai, është një lloj përpjekje për të siguruar autonomi të padefinuar për komunitetin serb në Kosovë.
Neni 7 në Planin evropian, të publikuar nga BE-ja, do të thotë se “të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
Sipas Hysës, pakoja e Ahtisaarit është më e avancuar se precedanet evropianë sa i përket vetëqeverisjes.
“Neni 7 është më kontradiktori, më kompleksi dhe më i diskutuari. Këta dy paragrafë nuk mund të dihet me çfarë logjike janë lidhur. Është një lloj përpjekjeje për të siguruar autonomi të padefinuar për komunitetin serb që mbështetet në vetëqeverisje apo në një pranim të statusit për trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe. Në këtë aspekt, vetëqeverisje e bazuar në përvojën ekzistuese, në pakon e Ahtisaarit është më e avancuar se precedanet evropianë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Hysa ka thënë se edhe çështja e asistencës financiare nga Serbia për komunitetin serb në Kosovë është një çështje e rregulluar me pakon e Ahtisaarit.
“Nuk e di ku mund të shkohet përtej saj”, ka thënë ai.
Se a mund të jetë ky nen që marrëveshja të dështojë, Hysa ka thënë se e gjitha varet nga të dy palët.
Tutje, ish-diplomati i Kosovës ka thënë se ky Plan është refleksion i momentit gjeopolitik në të cilin gjendet Evropa pas agresionit rus.
“Ballkani është parë si një nga problemet që mund të përdorej për front të dytë. Ishte momentumi që i shtyri palët të afrohen. Në këtë situatë, relevanca ra mbi Serbinë, kjo ka sjell marrëveshje që për herë të parë nuk insiston në njohje juridike”, ka thënë ai.