Historiani dhe ish-diplomati Ylber Hysa ka thënë se Serbia ishte në pozitë shumë të vështirë në dialog për shkak të sulmit në Banjskë para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për Rregulloren e re e cila ndalon përdorimin e dinarit. Vendimi, Hysa thotë se e rehabilitoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbinë.
Çështja e dinarit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Aleatët i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendimin, megjithatë ende s’ka marrë përgjigje pozitive. Për këtë çështje, me ftesë të Serbisë, ditë më parë u diskutua edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Hysës, sulmi i Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar nuk u kapitalizua nga Qeveria e Kosovës. E ka konsideruar si “momentum të kthesës” për Kosovën që ishte nën presion asokohe. Por ish-diplomati ka thënë se Kurti sërish deshi ta marrë “shënjestrën” e ndërkombëtarëve me çështjen e dinarit.
“Marrëveshja është e pranuar. Çfarëdo taktizimi për të shmangur zbatimin, qoftë për arsye elektorale apo strategjike, në asnjë variant nuk do t’i hiqet Kosovës. Është diçka që i rri peng dhe në shpinë Kosovës, kushdo që do të jetë në pushtet. Nuk u kapitalizua Banjska. Ishte momentum i kthesës. Fatkeqësisht, me të bërat e fundit rreth dinarit, duke se u rehabilitua Serbia. Pas Vitit të Ri, SHBA-ja njoftoi për shitjen e raketave Javelin për Kosovën – ishte mesazhi më direkt ndaj Vuçiqit që ty të kemi shënjestër dhe që nuk do të tolerohet taktika e blerjes së kohës. Dhe me veprimin e dinarit, Kurti deshi ta marrë shënjestrën vetë. Tash e kemi situatën që u rehabilitua Vuçiqi”, ka thënë Hysa në “Interaktiv”, duke shtuar se Kurti nuk koordinohen me partnerët dhe i zë në befasi.
Hysa ka thënë se nuk e ka kuptuar pse Kurti e ka “ndihmuar” Vuçiqin në taktikat e tij në dialog.
“Nuk e di nëse bota ka kohë që ta presë Kosovën dhe qeverinë që të maturohet. Janë zgjedhjet në SHBA, po shihet ndarja e madhe atje, janë zgjedhjet në mbi 30 vende të botës, përfshirë BE-në. Më shumë se Kurti, Vuçiqi ka arsye të madhe dhe të presë kush do të fitojë në SHBA. Vuçiqi ka pasur siklet para tre vjetëve, ishte në situatë presionimi, i kishte humbur zgjedhjet me atë që ka pasur investime [Trump] dhe taktikat e tij kanë qenë për të blerë kohë që atëherë. E kam kuptuar Vuçiqin pse ka kërkuar të blejë kohë, por s’e kam kuptuar pse Kurti i ka dhënë kredite për këtë kohë. Më çështjen e dinarit, Kurti sërish i ka dhënë kredite Vuçiqit, i cili do ta shtyjë situatën deri në verë, kur do të ketë zgjedhje në BE dhe pastaj fokusi është tjetër kund”, ka shtuar ai.
Sipas Hysës, Qeveria e udhëhequr nga Kurti ka bërë lexim të gabueshëm të gjeopolitikës që kur nisi lufta në Ukrainë. Për këtë arsye, siç thotë ai, tani nuk është më në tavolinë marrëveshja finale me njohjen reciproke në qendër.
“Ka pasur lexim të keq të kohës dhe gjeopolitikës. Që para tre vjetësh ka pasur lexim strategjik të gabueshëm, sidomos pas luftës në Ukrainë. Nuk e kuptuan në Prishtinë këtë situatë. Përpjekja për ta futur skemën bardhë e zi, të mirë e të keqen, e mirë Kosova, e keqe Serbia, por nuk ishte ashtu. Ishte e kundërta. Ishte tendencë për ta parandaluar Beogradin të shkojë në anën gabuar. Ky keqlexim na ka sjell këtu”, ka vijuar Hysa.
Hysa ka thënë se Kurti ka bërë suksese në dialog që “vetëm votuesve të tij i duken suksese”.
“Mbetet të vihet në peshore nëse është sukses për Kosovën. Rezultati i një negociate matet me rezultatin final”, ka deklaruar Hysa.