Ka hyrë në fuqi marrëveshja për investime nxitëse e Korporatës Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), e nënshkruar në dhjetor mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Phillip Kosnett.
“Marrëveshja e re e DFC-së për Investime Nxitëse ka hyrë në fuqi, duke ia mundësuar DFC-së vendosjen e serisë së plotë të produkteve financiare në Kosovë”, është bërë e ditur të enjten në faqen zyrtare të DFC-së në Twitter.
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar më 31 dhjetor 2020, në Prishtinë. Asokohe për këtë marrëveshje zëvendësnënkryetari i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun, John Jovanovic, tha se e “forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ.
Kjo nuk është marrëveshja e parë e Kosovës me DFC-në. Në shtator 2020, kryeministri Hoti nënshkroi edhe një marrëveshje tjetër me këtë institucion të Qeverisë amerikane, duke krijuar kornizën investuese si një prej instrumenteve për zbatimin e zotimeve të nënshkruara në Marrëveshjen e Washingtonit. Marrëveshja e shtatorit 2020 ishte promovuar si instrument për nxitjen e investimeve në projektet që ishin subjekt i marrëveshjes së Washingtonit – autostrada Prishtinë-Nish, hekurudha Kosovë-Serbi, dhe Ski Qendra në Brezovicë.
Në dokumentin e nënshkruar më 21 shtator 2020 nga Hoti dhe drejtori i DFC-së, Adam Boehler, thuhej: “Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për nxitjen e investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”.
-
Hyn në fuqi Marrëveshja për investime amerikane në Kosovë
-
Hoti të hënën fton bizneset për t’u informuar me marrëveshjen për nxitjen e investimeve me SHBA-në
-
Hoti: Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka arritur Marrëveshje për investimet e DFC-së
-
Hoti flet me DFC-në për implementimin e projekteve nga marrëveshja e Washingtonit
-
Deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe SHBA-së (dokument)