Prishtinë, 13 tetor - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti sot ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, me ç’rast u diskutua çështja e procesit integrues të Kosovës, të arriturat dhe sfidat e këtij procesi.
Sipas njoftimit për media, ajo ka theksuar përkushtimin për dinamizimin e procesit integrues, realizimin e detyrave dhe përgjegjësive institucionale për realizimin sa më të shpejtë të këtij interesi nacional.
“Falënderoj ambasadorin Markusz dhe Hungarinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar në të gjitha proceset integruese të vendit tonë, njëherësh ritheksoj se në kuadër të këtij procesi, ndihma e Hungarisë për vendin tonë është shumë e mirëseardhur”, citon njoftimi fjalët e ministres Hoxha.
Ajo po ashtu ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e dhënë Kosovës edhe në nismat rajonale dhe integrimin në organizmat ndërkombëtar, si dhe përvojën e Hungarisë për procesin integrues.
Ambasadori Markusz shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritashëm, duke u zotuar se Hungaria do të jetë krah Kosovës në proceset integruese. Ai theksoi se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal kanë vlerë të madhe në sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova.
Po ashtu, ambsadori Markusz u dakordua me ministren Hoxha se rruga e vetme e Kosovës është rruga dhe vlerat euro-atlantike. Bashkëpunimi me Hungarinë është me rëndësi për Kosovën dhe se Hungaria do të jetë aleate e Kosovës në këto procese.