Hungaria ka hapur të mërkurën konsullatë nderi në Prizren. Gjatë hapjes solemne të këtij misioni, zyrtarë hungarezë dhe ata të Kosovës shprehën pritjen që kjo konsullatë nderi t’i shërbejë avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Konsulli i nderit, Irfan Daullxhiu, foli mbi synimet që do t’i ketë gjatë drejtimit të misionit.
“Do të jem tërësisht i përkushtuar për promovimin e tregtisë, investimeve, turizmit, dhe marrëdhënieve kulturore ndërmjet Hungarisë dhe Kosovës. Do të përfaqësoj interesat e Hungarisë në rajonin tonë dhe do të shërbej si urë ndërmjet Hungarisë dhe komunitetit lokal”, ka thënë Irfan Daullxhiu, konsull nderi.
E zyrtarë qeveritarë folën mbi bashkëpunimin mes të dyja vendeve.
"Uroj që bashkëpunimi ndërmjet Hungarisë dhe Kosovës të thellohet në të ardhmen. Në emër të Qeverisë së Hungarisë mund të konfirmoj se jemi vërtet të përkushtuar për këto marrëdhënie, që nuk ka të bëjë vetëm me historinë dhe të kaluarën, por gjithashtu me të ardhmen”, pohoi Peter Sztaray, Ministër Shtetëror për Politika të Sigurisë.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, e vlerësoi nder të madh këtë veprim të Hungarisë.
“Është nder i madh që të kemi një mision diplomatik si Konsullata juaj në Prizren, posaçërisht për faktin që Hungaria është vendi i parë anëtar i BE-së që hap konsullatë në vendin tonë, në qytetin e Prizrenit, jashtë Prishtinës”, tha Rexhepi.
“E shoh këtë konsullatë nderi jo vetëm si shenjë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera, që i përmenda, por edhe si mundësi për t’i zhvilluar më tej ato”, shtoi Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Hapjen e kësaj konsullate nderi, autoritetet lokale në Prizren e panë si urë lidhëse me qytete të Hungarisë.
“Ne përmes Konsullatës së Hungarisë shpresojmë të ndërtojmë bashkëpunim të mirë, ku qyteti i Prizrenit tani e tutje do të ketë mundësi që edhe me qytetet nga Hungaria të ketë njohje e bashkëpunim”, deklaroi Antigona Bytyqi, kryesuese e KK në Prizren.
Kjo nuk është hera e parë që Hungaria vendos mision në këtë qytet. Prej mesit të shekullit të 19-të deri në fillim të shekullit 20, Austro-Hungaria ka pasur Konsullatë në Prizren.