Aktakuzat e para të lëshuara nga prokurorët e Gjykatës Speciale për Krime Lufte kanë shënuar përparimin e shumëpritur drejt drejtësisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të ligjit humanitar si dhe të ligjeve të luftës në Kosovë. Kështu vlerëson organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch në raportin vjetor të publikuar sot.
Raporti përmend ish-presidentin Hashim Thaçi i cili është në mesin e katër ish-pjesëtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u akuzuan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke nënvizuar se Thaçi ka dhënë dorëheqje dhe se katër të akuzuarit janë transferuar në objektet e paraburgimit në Hagë.
Te pjesa për përgjegjësinë e institucioneve ndërkombëtare, në raport përmenden disa kampe të kontaminuara për të zhvendosurit në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, raporton REL.
Raporti vë theksin te një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim - e realizuar në muajin janar - e cila ka konstatuar se shumica e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me papunësi të lartë, strehim të dobët dhe diskriminim, sidomos të grave.
Aty përmenden ca përmirësime në qasjen në arsim, “e cila tradicionalisht ka qenë e pamjaftueshme”.
Edhe
Probleme gati të njëjta me të drejtat e njeriut
Raporti përmend edhe nisjen e gjyqit, në muajin shkurt, kundër gjashtë të pandehurve, të akuzuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Te pjesa për të drejtat e grave, raporti thotë se dhuna në familje mbetet problem në Kosovë, “me përgjigje joadekuate të policisë, me pak ndjekje penale dhe dështim të vazhdueshëm të gjykatësve për të lëshuar urdhra kufizimi kundër partnerëve abuzivë”.
“Një mekanizëm i vitit 2018, i ngritur për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20,000 të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë, ka vazhduar të ketë arritje të kufizuara”.
“Midis shkurtit 2018 dhe qershorit 2020, rreth 1,239 të mbijetuar kanë kërkuar kompensimm financiar, ndërsa 800 [kërkesa] janë miratuar, 239 janë refuzuar dhe të tjerat kanë qenë pezull në kohën e përpilimit të raportit”, thekson Human Rights Watch.
Raporti përmend edhe rastin e aktivistit të të drejtave të njeriut, Shkëlzen Gashi, dhe thotë se 40 organizata lokale kanë dënuar kërcënimet kundër tij, pas deklaratave të tij se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës. Atëbotë, Gashi është shkarkuar nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Albin Kurti.
Në raport po ashtu thuhet se gjuha e urrejtjes në mediat sociale kundër komunitetit lezbian, homoseksual, biseksual dhe transseksual në Kosovë ka vazhduar.
Gazetarët gjithashtu kanë vazhduar të jenë caqe të frikësimit dhe kërcënimeve në mediat sociale, si dhe të sulmeve fizike, thekson raporti, për të shtuar se “hetimet dhe persekutimet kanë qenë të ngadalshme”.
“Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve dhe mediave, përfshirë pesë sulme fizike kundër gazetarëve dhe dhjetë kërcënime. Policia ka qenë duke hetuar katër raste të regjistruara në kohën e shkrimit [të raportit]”, thekson Human Rights Watch.
Edhe
HRW: Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, një hap pozitiv për drejtësinë
Organizata po ashtu thotë se komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i ka porositur autoritetet në Kosovë se duhet të bëjnë reforma për forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të luftojnë korrupsionin, por nuk i ka ngritur shqetësimet e tjera për të drejtat e njeriut.
Publikohet me leje të REL-it