Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar rreth lajmit për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Sierra Leones. Ai, gjithashtu ka komentuar edhe kërkesën e qeverisë, përkatësisht ministrit të jashtëm, Glauk Konjufca, për largimin e disa ambasadorëve.
Ish-ministri i jashtëm, Hoxhaj, ka thënë se “derisa Serbia po e godet Kosovën kudo nëpër botë, ministri i jashtëm i Kosovës merret me lista të ambasadorëve”.
“Ministri i jashtëm i Serbisë po godet Kosovën kudo ku mundet nëpër botë. Ministri i jashtëm i Kosovës merret me tema të brendshme dhe me lista të ambasadorëve! Në vend se kjo qeveri të merret me parandalimin e tërheqjeve tjera eventuale, qeveria e re merret me tema fiktive, akte populiste, vendime për efekte elektorale... dhe në vazhdimësi po i ik përgjegjësisë së dështimit në politiken e jashtme dhe përgjegjësisë reale për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Sipas Hoxhajt, Qeveria, “skandalin e sotëm të tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone po e mbulon me kërkesën për tërheqjen e shtatë ambasadorëve të respektuar e profesional, që i kanë shërbyer gjatë Kosovës”.
“Politika e jashtme dhe përfaqësimi i Kosovës po rezulton të jetë pika më e dobët e kësaj qeverie. Kemi konfrontimin e drejtpërdrejtë me Amerikën, përkeqësimin e raporteve me Shqipërinë, tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone dhe çuditërisht, shprehjen e vullnetit të mirë ndaj Serbisë. Politika e jashtme nuk bëhet duke u hakmarrë! Ajo nuk do duhej të reflektojë ndasitë e politikës së brendshme. Kosova duhet të ketë vazhdimësi e përfaqësim unitar në marrëdhënie me jashtë”, përfundoi Hoxhaj.
-
Hoxhaj: Serbia ka përgatitur ofensivë për tërheqjen e njohjeve, Kosova pa ambasadorë në 20 vende
-
PDK-ja dhe AAK-ja akuzojnë Kurtin se e ka dobësuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare
-
Hoxhaj: Humbja e Dialogut Strategjik është hap prapa me pasoja serioze
-
Hoxhaj: Kosova duhet ta njohë qeverinë e përkohshme të Sirisë
-
Hoxhaj e quan “sovranitet të dyfishtë” heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë